Pragndeshja
Rekord pas rekordi, rruga e Bajernit të Mynihut në Bundesligë është e pandalshme. Filipp Lahm paralajmëron kundërshtarët. Mbrojtësi i bavarezëve është i bindur se skuadrat e tjera do ta kenë të vështirë të mundin gjigandët gjerman këtë sezon, nëse ekipi vazhdon të luajë në këtë mënyrë dhe mban këto ritme, si në kampionat apo dhe në kompeticionet e tjera ku merr pjesë. Skuadra e Jup Hejnkes i ka fituar të gjitha ndeshjet në 8 javët e para në Bundesligë, duke vendosur dhe një rekord në këtë kampionat. Gjithashtu Lahm thuri elozhe për Mario Mandzukiç dhe Frank Riberi, pasi beson se të dy lojtarët luajnë një rol kyç në suksesin e deritanishëm të skuadrës. “Mandzukiç është në një formë të jashtëzakonshme dhe është nga ata lloj lojtarësh, të cilët punojnë shumë për skuadrën. Gjithashtu dhe Riberi është duke punuar shumë. Do të jetë e vështirë për të na mundur nëse vazhdojmë me këto ritme edhe në javët në vazhdim”. Lahm shprehet i kënaqur me mënyrën sesi Bajern e ka nisur sezonin e ri dhe kërkon nga ekipi që të qëndrojë në këto nivele për të realizuar objektivat që ka skuadra. “Padyshim që është fantastike të jesh ekipi i parë që e fillon sezonin me 8 fitore. Jemi në një formë të mirë dhe e kemi treguar diçka të tillë në javët e fundit. Dëshirojmë që të vazhdojmë me fitoret duke filluar që nga ndeshja e radhës në Champios League”. Bajerni po përgatitet për ndeshjen e radhës në fazën e grupeve në Champios League, ku bavarezët do të kenë përballë francezët e Lilës. Gjermanët nuk do të kenë në dispozicion për këtë sfidë Robenin, Van Bujten dhe Mario Gomez.
Mungesat
Në ndeshjen e sotme ndaj francezëve në Lilës, Bajerni i Mynihut nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë, Arjen Roben, Van Bujten dhe Mario Gomez