FIFA pritet të hapë procedim disiplinor ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), pas pankartës me mesazh politik të shfaqur nga disa lojtarë menjëherë pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.
Pas përfundimit të sfidës në Atlanta, disa futbollistë argjentinas festuan kualifikimin në finale duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”), një referencë ndaj mosmarrëveshjes historike mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar për Ishujt Falkland (Malvinas).
Sipas rregulloreve të FIFA-s, shfaqja e mesazheve politike në stadiume është e ndaluar dhe për këtë arsye organi qeverisës i futbollit botëror pritet të nisë një hetim disiplinor ndaj AFA-s.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, procedurat disiplinore nuk pritet të përfundojnë përpara finales së Kupës së Botës. Kjo do të thotë se lojtarët e përfshirë në incident do të jenë të gatshëm dhe nuk rrezikojnë të humbasin sfidën për titullin ndaj Spanjës. Sipas raportimeve, lojtarët e parë të fotografuar me banderolën ishin Giovani Lo Celso dhe Nicolás Otamendi, ndërsa më vonë me të u shfaq edhe Lisandro Martínez.
Banderola u vendos në fund në fushë nga Lo Celso, pasi disa lojtarë fillimisht e kishin lënë mënjanë. Në këtë fazë, një gjobë financiare ose një paralajmërim konsiderohen masat më të mundshme, ndërsa nuk ka asnjë sinjal për pezullime sportive para finales.
Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës do të zhvillohet më 19 korrik, ndërsa vendimi i FIFA-s për këtë çështje pritet të merret vetëm pas përfundimit të turneut.
