Luftë sportive dhe emocione në Vlorë. Bylis fiton në transfertë, 3 pikë dhe për Kukësin
Altin Manallari
Tirana ndalet në një barazim 1-1 në shtëpinë e Flamurtarit, që i jep mundësinë Skënderbeut të marrë për herë të parë kreun i vetëm. Bylis merr fitoren e parë në transfertën ndaj Apolonisë, ndërsa Kukësi mund Tomorin dhe vihet në ndjekje të kryesuesve.
Dy golat, i Morinës në fillim dhe i Bratiç më pas, vendosën një ndeshje, e cila u karakterizuar nga lufta e fortë sportive dhe me shumë raste e shtylla, por që në fund nuk mundi të shkonte më tej se një barazim, që i bëri skuadrat të ndajnë nga një pikë mes tyre. Ky ka qenë verdikti i supersfidës së javës së gjashtë. Në këtë ndeshje, trajneri i Flamurtarit, Hulian Rubio, vihej për herë të parë kundër të kaluarës së tij shqiptare, bardhebluve, me të cilët ka fituar tri trofe brenda një viti (dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë). Flamurtari vinte në këtë ndeshje nga një krizë rezultatesh që i ka përfshirë në këtë fillimsezoni. Ndërsa Tirana, në dukje më e kolauduar, ka besuar se mund të bëjë keq edhe në Vlorë, dhe për asnjë moment nuk është tërhequr nga kërkimi i fitores. Në minutat e para ka qenë flamurtari skuadra që ka mbajtur iniciativën në kërkim të golit me anë të Muzakës, që ka goditur edhe traun e portës së Ilion Likës në minutën e 15. Po ashtu, i rrezikshëm është shfaqur edhe Memelli. Tirana tregohet më e kujdesshme dhe kundërsulmojnë, duke vënë në vështirësi kuqezinjtë. Dhe pikërisht kur luhej minuta e 45 e pjesës së parë, Morina çon topin në rrjetë me kokë dhe ndëshkon kështu vendasit. Pjesa e dytë nis nën shenjën e Flamurtarit që i afrohet golit me Bratiç në minutën e 47, i cili në të 56-n korrigjon gjithçka në ekzekutimin e një goditjeje dënimi: Topi shkoi në këmbët e Bratiç, i cili shënoi me të djathtën një gol të bukur në portën e 24 herë kampionëve. Flamurtari insiston, por e ka të vështirë të shënojë një gol tjetër në portën kundërshtare. Ndërsa Tirana e Lekbellos nuk ka frikë, luan edhe ajo në kërkim të fitores, por që deri në fund nuk vjen për asnjërën prej dy skuadrave. Takimi mes tyre u mbyll 1-1. Kjo ka shkuar e gjitha në favor të Skënderbeut, e cila me fitoren 2-0 në shtëpi ndaj Shkumbinit janë shkëputur tashmë të vetëm në krye me 2 pikë diferencë nga Tirana. Shkumbini nuk është dorëzuar për asnjë moment, por Skënderbeu nuk njeh kundërshtar në fushën e tij. Dy gola e Arapit dhe Lilajt kanë vulosur këtë fitore të rëndësishme të korçarëve. Interesante kanë qenë edhe dy sfidat e tjera të së shtunës, Apolonia-Bylis dhe Kukësi-Tomori. Në Fier kanë triumfuar miqtë ballshiotë 1-0 me gol të Gegës. Kjo është fitorja e parë për Bylisin në këtë sezon, gjë që Apolonia e Ernest Gjokës nuk e ka shijuar ende. Në Kukës rikthimi i tifozëve e ka kthyer takimin me Tomorin në një festë, e cila u kurorëzua edhe me fitoren 3-1: shënoi dy gola Popoviç dhe një Progni. Kukësi me 10 pikë në klasifikim renditet tashmë në vendin e tretë, pas Tiranës dhe Skënderbeut. Tepër interesante parashikohen edhe sfidat e ditës së sotme. Në Gjirokastër, dy skuadrat debutuese në Superiore për këtë sezon, Luftëtari dhe Besa, do të sfidojnë njëra-tjetrën, Vllaznia prek Laçin në shtëpi dhe Kastrioti e Teuta përballen në Krujë.
Ndeshjet, java e gjashtë
DJE
Apolonia-Bylis 0-1
Gega 20′
Kukësi-Tomori 3-1
Progni 11′, Popoviç 14′, 45′ / Mile 25′
Skënderbeu-Shkumbini 2-0
Arapi 55′, Lilaj 89′
Flamurtari-Tirana 1-1
Bratiç 56′ / Morina 45′
SOT
14.00 Luftëtari-Besa
14.00 Kastrioti-Teuta
14.00 Vllaznia-Laçi
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Skënderbeu 6 14
2. Tirana 6 12
3. Kukësi 6 10
4. Besa 5 8
5. Vllaznia 5 8
6. Laçi 5 8
7. Kastrioti 5 8
8. Luftëtari 5 7
9. Teuta 5 7
10. Flamurtari 6 6
11. Bylis 6 5
12. Shkumbini 6 5
13. Apolonia 6 3
14. Tomori 6 1