Një tjetër talent shqiptar po hyn në radarin e një gjiganti europian. Sipas gazetarit të njohur gjerman Florian Pletenberg, Barcelona është ndër klubet që po monitoron me kujdes shqiptarin e Kosovës, Fisnik Asllani.

23-vjeçari, i lindur në Berlin dhe pjesë e ekipit të parë të Hofenheim, ka bërë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij gjatë këtij sezoni. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa skuadrave të mëdha europiane, por Barcelona është ekipi që po shfaq më shumë interes.

Pletenberg raporton se sulmuesi ka një klauzolë lirimi të shkruar në kontratë, e cila mund të aktivizohet verën e ardhshme, dhe klubi katalanas është tashmë i informuar për këtë mundësi.

Në një intervistë të dhënë për Sport Bild, Asllani nuk e fshehu aspak dëshirën e tij për t’u veshur me fanellën blaugrana: “Klubi i ëndrrave sime ka qenë gjithmonë Barcelona. Që fëmijë kam dashur të luaj për këtë skuadër.”

Kjo deklaratë ka bërë menjëherë xhiron e mediave gjermane dhe spanjolle, duke forcuar spekulimet për një transferim të mundshëm drejt “Camp Nou”-t.

Raportimet shtojnë se një lëvizje drejt një klubi pjesëmarrës në Champions League është tashmë e planifikuar për Asllanin, ndërsa agjentët e tij janë në kontakte me disa klube të nivelit të lartë europian. Barcelona shihet si opsioni ideal, jo vetëm për potencialin sportiv, por edhe për stilin e lojës që përshtatet me profilin teknik të tij.