Barcelona fitoi me dhëmbët shtrënguar ndaj Dinamos së Kievit dhe mban gjallë shpresat për kalimin e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Goli që i dha fitoren u shënua nga Pique, që u erdhi në ndihmë kolegëve të sulmit, ku Koeman kishte vendosur treshen Depay, Dest dhe De Jong në qendër. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 36 dhe ai konfirmoi problemet e mëdha që kanë katalanasit me sulmin e tyre, ku nuk po zëvendësojnë dot prej vitesh largimet në seri të Neymar, Suarez e tashmë edhe të Messi-t.

Këto ishin pikët e para për Barcelonën në grupin E, që kryesohet nga Bayern me 6 pikë. Në vendin e dytë është Benfica me 4 pikë. Në dy ndeshjet e para me këto dy skuadra Barcelona pësoi dy humbje me 0 gola të shënuar dhe gjashtë të pësuar.

Kjo rënditje i detyron katalanasit që të bëjnë tifo me Bayern në ndeshjen direkte mes këtyre dy ekipeve, për të pasur shpresa kualifikimi në ndeshjen e dytë përballë portugezëve në Camp Nou.

Në ndeshjen tjetër të orës 18:45, Salzburg mori kreun e grupit “të dobët”, pas fitores 3-1 ndaj Wolfsburg. Austriakët udhëheqin grupin G me 4 pikë, duke lënë pas Sevillen, Wolfsburg dhe Lille.