Migjen BashaDrejt Euro 2016


Sinqeriteti i futbollistit që nisi projektin e De Biazit: Nuk e besoja kualifikimin!


Karriera me kombëtaren


Debutimi – Basha veshi për herë të parë fanellën kuqezi në eliminatoret e Botërorit 2014, në transfertën e fituar me rezultatin 1-0 në Norvegji. Që nga ai moment, mesfushori i talentuar ka luajtur 13 takime me kuqezinjtë, 11 nga të cilat si titullar


Dëmtimi – Problemet fizike dhe dëmtimet e vazhdueshme te Torino bënë që Basha të qëndronte rreth një vit pa luajtur, duke u aktivizuar vetëm pak minuta në fund të sezonit të kaluar. Paraqitja në miqësoren me Francën bindi De Biazin t’i besonte në pjesën e dytë të kualifikueseve


Golat – Gjatë eksperiencës së tij kuqezi, Basha ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës, në të dyja rastet në miqësore të luajtura në “Qemal Stafa”. Goli i parë i tij me fanellën e kombëtares ishte në suksesin 4-1 ndaj Lituanisë, ndërsa i dyti në suksesin 2-0 ndaj Maltës


Ermal Kuka


Nëse Xhani De Biazi ka meritën se ka afruar në kombëtare një brez të talentuar lojtarësh që bënë të mundur kualifikimin historik në Euro 2016, Migjen Basha ka padyshim meritën se u tregoi atyre rrugën. Mesfushori ishte ai që vendosi i pari të kalonte nga Zvicra te Shqipëria, ëndërr të cilën e bëri realitet pas më shumë se 3 vitesh pritje të një dokumentacioni që nuk po miratohej nga FIFA. Pasi humbi pjesën e parë të edicionit për shkak të një dëmtimi të gjatë, Basha u kthye në fushën e lojës si protagonist në ndeshjet e fundit, aq më shumë ndaj Armenisë ku ishte pjesëmarrës në çdo aksion sulmues në suksesin 3-0. Ndaj kualifikimi ishte shpagimi më i madh për një futbollist që kishte sakrifikuar shumë për të kontribuuar me fanellën kuqezi, aq sa në një pikë rrezikoi edhe karrierën e tij.


Migjen, si është të shkoni për të parën herë në karrierë në Kampionatin Europian?


Është një emocion i ri dhe është një gjë e re për mua, në fakt është hera e parë për të gjithë lojtarët shqiptarë. Për momentin po e përjetojmë shumë mirë, është një emocion që nuk mund ta përshkruaj, pasi është diçka historike ajo që kemi bërë. Duhet ta përjetojmë sa më mirë, me entuziazëm, por t’i afrohemi Europianit duke qenë gati fizikisht dhe moralisht, për të bërë një Europian sa më të mirë.


Në fakt, emocionet dhe atmosferën e festës së vërtetë e kuptuat kur u kthyet në Shqipëri …


E vërtetë, pasi atje kishim shumë pak tifozë me vete. Festuam sa mundëm, por kur nuk i ke tifozët tuaj afër është ndryshe. Kur kemi ardhur këtu dhe kemi parë çfarë po ndodhte, i gjithë shteti, të gjithë shqiptarët ishin duke festuar, na bëri të ndihemi krenarë. Atëherë kemi filluar ta kuptojmë se çfarë kemi bërë realitet.


Edhe pse tifozët ishin të zhgënjyer nga Serbia, ndeshja që e pritnin të gjithë, a bëri kualifikimi që të harrohet ajo humbje?


Të zhgënjyer kemi qenë edhe ne, jo vetëm shikuesit. Edhe ne e kemi pritur atë ndeshje për t’u kualifikuar dhe për disa çështje të tjera, sidomos unë duke pasur parasysh luftën e Kosovës, familjarët që kemi humbur atëherë dhe gjëra të ngjashme. Por është e vërtetë, kemi humbur një ndeshje ku nuk e parashikonim një fund të tillë. Nëse shikojmë minutat e fundit, ne jemi mundur ndaj Serbisë, pasi kishim shumë dëshirë për ta fituar ndeshjen. Ata që kuptojnë futboll, mund të rishohin edhe një herë ndeshjen dhe të kuptojnë se të gjithë kemi qenë në sulm dhe kemi pësuar një gol të pakuptimtë në kundërsulm. Pas përfundimit të ndeshjes ishim shumë të dëshpëruar në dhomat e zhveshjeve, nuk kishte as fjalë, asgjë. Kjo kuptohet, se e ndienim të gjithë rëndësinë që kishte për të gjithë shqiptarët kjo ndeshje. Por u desh të gjenim forcën për të shkuar në Armeni për të fituar ndeshjen, pasi e dinim që do të realizonim një arritje për të gjithë shqiptarët, për të gjithë popullin. Besoj se me kualifikimin, pak a shumë mund ta harrojmë atë që i ka ndodhur kundër Serbisë.


Mos dëshira për të sulmuar më shumë sa duhej erdhi pasi tifozët mësuan se Portugalia kishte shënuar ndaj Danimarkës?


E kemi dëgjuar kur tifozët festuan atë gol, e kuptuam edhe ne në fushë. Por nuk mendoj se ka qenë ajo që na shtyu. Në momentet e fundit, në fushë e kuptuam se Serbia ishte e kënaqur edhe me barazimin. Por ne nuk u treguam inteligjentë që të tregoheshim të kujdesshëm sa duhej për të mos e humbur ndeshjen. Vendosëm të sulmonim për të shënuar dhe për të kënaqur të gjithë. Jam i zhgënjyer më atë që bëmë, besoj se barazimi do të kishte qenë më i mirë për ne.


Tani ai episod mund të harrohet dhe të bëhen gati valixhet për në Francë. Çfarë Shqipërie pritni në Europian?


Hapi i parë ka qenë kualifikimi, i dyti është të mësojmë si është Europiani pasi nuk e dimë, askush nuk ka qenë atje! Duhet të përgatitemi sa më mirë, ka shumë kohë deri atëherë. Fillimisht të përfundojmë sezonin sa më mirë, të gjithë lojtarët të jenë në formë në momentin e duhur. Pastaj duhet të shohim grupin që kemi se varet edhe nga kundërshtarët që kemi. Sigurisht që atje do të tregojmë zemrën e madhe që ka kjo kombëtare, besoj se do të jetë një ekip luftarak dhe kompakt që mundohet të bëjë sa më mirë.


Kemi ekip që ka bërë mirë në ndeshjet ku ka luajtur me presing, agresiv, por në pritje. A mos kemi gabuar disi në ndeshjet e humbura në minutat e fundit duke u përpjekur të imponojmë lojën?


Me mënyrën që luajmë tani, kemi arritur rezultate, ndaj nuk ka arsye të ndryshojmë. Është e vërtetë, që i presim pak kundërshtarët dhe luajmë në kundërsulm. Por duhet ta keni parasysh që është normale të luash në kundërsulm kundër Portugalisë, pasi e dini se çfarë ekipi ka, ose edhe Danimarkës e Serbisë. Nga njëra anë duhet të mendojmë të jemi kompakt, së pari të mbrojmë, të mos pësojmë gol dhe më pas, nëse na jepet rasti për të shënuar, aq më mirë. Nëse i kemi arritur këto rezultate, është nga puna në këtë mënyrë.


Në Europian duket se e gjithë skuadra do si kundërshtare në grup Zvicrën …


Është normale, për shumë arsye. Të them të drejtën nuk më intereson shumë se kush është në grup. Parësore është mënyra se si kemi arritur këtu, kemi bërë shumë punë të mirë përveç minutave shtesë me Portugalinë e Serbinë. Po grupi nuk më intereson, atëherë do të jetë një eksperiencë e re, do të mundohemi të bëjmë maksimumin gjithsesi. Thjesht nëse i kemi arritur rezultatet në këtë mënyrë, duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë, të mos ndryshojmë stilin tonë. Duhet të luajmë pa mendjemadhësi, secili të bëjë punën e vet, të mendojmë për ekipin, për skuadrën dhe të vazhdojmë në këtë rrugë.


Ky është një grup lojtarësh që kanë sakrifikuar të gjithë, pavarësisht emrave …


Kjo ka qenë forca e këtij grupi. Në vitet e fundit ka afruar shumë lojtarë me shumë cilësi dhe secili prej tyre ka ndihmuar ekipin. Nëse mungonte një mesfushor, futej tjetri dhe luante shumë mirë. Edhe kjo na ka ndihmuar shumë, edhe konkurrenca. Me aq sa di unë nuk ka pasur shumë alternativa më parë në kombëtare dhe gjërat ishin ndryshe. Ndryshe ndihesh kur ke konkurrencë dhe ndryshe kur nuk ke. Sa më shumë lojtarë të afrosh me cilësitë që kemi tani, aq më mirë do të jetë për ne.


Të duket e çuditshme që Shqipëria është kualifikuar në Europian me një grup lojtarësh ku shumë prej tyre kanë më pak se 10 ndeshje të luajtura me kombëtaren?


Është vërtetë e çuditshme, tani që po e mendoj. Kjo tregon që problemi nuk është tek eksperienca, por zemra e madhe. Çdo lojtar që luan nuk mendon nëse bën 10 minuta më shumë a më pak në fushë, qëllimi është që secili të bëjë punën e vet, pavarësisht minutave. E rëndësishme është që kombëtarja jonë të ecë përpara. Edhe kjo është forca jonë.


A mendoni se në Europian do të ndieni më pak trysni, edhe nëse nuk arrihet diçka?


Sigurisht që trysnia kalon, sidomos ajo që kishim në dy ndeshjet e fundit. Pas ndeshjes me Portugalinë shumë persona filluan të dyshonin, ndërsa pas Serbisë, disa filluan sharjet e fyerjet. Mjafton një ndeshje e humbur që nga hero, të kthehen të gjithë kundër. Meqë jemi në këtë temë, nuk më duket aspak normale që persona të ndryshëm kanë akuzuar kombëtaren për shitje ndeshjesh. Kjo është e pabesueshme dhe aspak normale për këdo.


Po sikur të kishit përfunduar në play-off?


Ishte shumë mirë që shkuam direkt, do të ishin dy ndeshje të tjera, presion më i madh, nga mënyra se si kemi arritur këtu. Ishim në kryesim, ishim në një pozitë shumë të mirë dhe ishte mëkat të përfundonim në play-off. Imagjinoni ku ishim pas Danimarkës dhe t’i humbnim të gjitha duke përfunduar në play-off! Me presion aq të madh, imagjinoni t’i humbnim edhe ato dy ndeshje. Do të përfundonim duke lënë të gjithë futbollin.


Në fund u kualifikuat me meritë. E kishit menduar se do të kualifikoheshit ndonjëherë me kombëtaren?


Jo, të them të drejtën nuk e kam menduar kurrë se do të shkonim në Europian. E kam menduar që do të ishte e vështirë çdo herë, sepse jemi mësuar të kemi probleme, të përballemi me vështirësi. Por të shkoja në Europian jo dhe besoj se edhe para shortit nuk e di sa njerëz e mendonin që mund të kualifikoheshim. As 1 apo 2 për qind e shqiptarëve nuk kanë besuar se Shqipëria mund të kualifikohet, për më tepër direkt.


Ju jeni futbollisti i parë që ndryshoi trendin, duke kaluar nga Zvicra te Shqipëria. Si ju duket tani?


Së pari, dua ta falënderoj trajnerin De Biazi, pasi nëse jam këtu është meritë e tij, sepse historia ime me kombëtaren është shumë e gjatë dhe e komplikuar. U kontaktova që 6-7 vite më parë, pastaj kishte probleme me dokumentacionin dhe ndërrimin e Federatës e pastaj u harrua krejtësisht. Pyesja a bëhej apo jo, ndërsa avokati më thoshte se nuk po bëhej asgjë. Një ditë, në fazën përgatitore me klubin, isha në qytetin ku banon familja e De Biazit. Ai sapo ishte bërë trajner i kombëtares dhe erdhi më takoi. Më pyeti si ishte puna, me tha “A je i interesuar për kombëtaren?”. I thashë që kishte disa vite që isha i interesuar, por problemet nuk po zgjidheshin. Aty më tha “Nëse je i interesuar, unë do të bëj çdo gjë për të marrë në kombëtare”. I thashë nëse mund të bësh diçka, unë kam qenë gjithmonë i interesuar. Prej aty ka filluar gjithçka, u hapa rrugë edhe të tjerëve me procedurat e mia. Unë besoj që angazhimi i tij ka bërë të gjitha të mundura, ndaj nëse sot jam këtu, duhet ta falënderoj.


Po si trajner, si është?


Edhe në nivelin tekniko-taktik ka bërë një punë shumë të madhe. Në mënyrën se si e ka vendosur ekipin, gjeti sistemin e vet apo në aspektin teknik që mundohet t’ua shpjegojë lojtarëve. Të mos pësojmë e pastaj të gjejmë mënyrën e golit. Ky është mentaliteti italian, të gjithë e dinë. Por ai na ka ndihmuar shumë të gjithëve, çdo lojtar është i kënaqur me punën e tij, jo vetëm në anën futbollistike, por edhe jashtë futbollit. De Biazi është njeri i thjeshtë, shumë i çiltër, bisedon me futbollistët edhe për pakënaqësitë apo problemet dhe kjo është e rëndësishme për një trajner.


Ju ishit i pari, por ka të tjerë që mund të bëjnë të njëjtin rrugëtim. A mendoni se kualifikimi do të ndikojë për afrimin e futbollistëve të tjerë të rinj?


Ka shumë shqiptarë që mund të afrohen në kombëtare, për të ardhmen sigurisht që u intereson. Tani ndryshon çdo gjë, Shqipëria ka tjetër imazh dhe do të jetë më e lehtë. Në vitet e fundit është shtuar edhe interesimi i federatës për lojtarët. Kam besimin se në vitet e ardhshme do të ketë edhe më shumë lojtarë të interesuar për Shqipërinë.