Bayerni i Mynihut i rikthehet normalitetit, teksa bavarezët kanë regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, këtë herë ia dolën të fitonin në transfertë kundër Mainz në shifrat 1-2.
Një ndeshje ku ekipi i Kovaç vinte si favorit, por gjithsesi dueli ishte delikat pasi vendasit kërkonin pikë. Sidoqoftë, fillimi i ndeshjes ishte i qetë, ku Bayern dukshëm u shfaq më kërkues, por në krahun tjetër Mainz mbrohet mirë.
Gjithsesi mbrojtja e vendasve mundi të rezistonte deri në min e 39, me Gorezkën që i dha epërsinë skuadrës bavareze. Në fraksionin e dytë, Mainz jep shënja jetë. Në të 48-ën Butis shtang portën e Bayernit dhe arrin të rikthejë ekuilibrat. Rezultati është i papranueshëm për kampionët e Gjermanisë dhe dukshëm rrisin presingun në kërkim të golit të fitores.
Një top i humbur nga ana e vendasve, shfrytëzohet mjaft mirë nga nga Lewandowski, i cili shërben në qendër dhe Alcantara që shënon golin e dytë për të tijtë.
Minutat e mbetura u përcollën me ankth nga të dy ekipet me Bayern që kërkonte të ruante avantazhin dhe Mainz të rrëmbente një barazim. Përpjekjet nuk rezultuan efikase, teksa ekipi i Kovaç ia del të largohet më 3 pikë, duke siguruar kështu fitoren e dytë radhazi.
Ndërkohë Borussia Dortmund nuk arriti të ruajë serinë e rezultateve pozitive, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në shtëpi, përballë Herthës së Berlinit. Sancho shënoi dy herë për verdhezinjtë, ndërsa Salomon Kalou riktheu baraspeshën në të dy rastet për miqtë nga Berlini.
27 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)