Befasi… Dani Alves ka finalizuar ditën e premte detajet për blerjen e klubit portugez São João de Ver, që garon në Liga 3, sipas raportimeve të ESPN Brasil.
Lajmi shton se ‘ylli’ brazilian po mendon edhe të firmosë një kontratë për të luajtur me klubin për të paktën gjashtë muaj, duke shënuar një rikthim të papritur në futboll pas një periudhe të gjatë mungese.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës ka qenë larg fushave që nga janari i vitit 2023, kur u akuzua dhe më pas u arrestua në Spanjë për sulm seksual. Ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Katalunjës në mars të këtij viti. Dani Alves dëshiron ta përfundojë karrierën e tij si lojtar profesionist duke luajtur në fushë, kështu duke i dhënë një përmbyllje aktive karrierës së tij sportive.
Për blerjen e klubit, Alves po mbështetet nga një grup investitorësh brazilianë, të cilët po ndihmojnë në finalizimin e marrëveshjes për SAD-in e São João de Ver. Në javët e fundit, Alves, 42 vjeç, është shfaqur publikisht në Spanjë si pastor evangjelik, duke nisur një kapitull të ri në jetën e tij jashtë futbollit.
Aktualisht, São João de Ver pozicionohet i nënti në Serinë A të Liga 3 dhe transferimi i Alves pritet të sjellë jo vetëm përforcime në fushë, por edhe një rritje të profilit të klubit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Rikthimi i mundshëm i Alves si lojtar do të jetë një nga surprizat më të mëdha të futbollit portugez këtë sezon.
