Sulmuesi shkodran ka debutuar me gol në Çeki: Pres fteswn për ekipin kombëtar


Vit pas viti nga vendi ynë janë larguar talente, shërbimet e të cilëve skuadrat e kampionatit tonë nuk kanë mundur t’i paguajnë, për shkak të kostos së lartë. Në janarin e sezonit të shkuar është larguar për shumën e 250 mijë eurove mesfushori Elis Bakaj në radhët e skuadrës së Dinamos së Bukureshtit, aty ku ka luajtur edhe legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. Pas një viti qëndrim, ai u transferua te Çernomorets Odesa në Ukrainë, ku aktualisht luan me mbrojtësin Kristi Vangjeli. Fill pas tij, po në vitin 2011, u transferua në muajin qershor mesfushori me tipare sulmuese i kombëtares kuqezi, Odise Roshi. Këtë talent ekipi i Këlnit në Bundesligën gjermane e përfitoi me kosto zero, pasi lojtarit i kishte përfunduar kontrata me Flamurtarin dhe ishte i lirë. Sot, ai shitet jo më pak se 1 milion euro nga ekipi gjerman. Ndër të tjerë që janë larguar vitet e fundit, janë Sabjen Lilaj, Arbër Abilaliaj, Gersi Delia dhe së fundmi Bekim Bala. Shkodrani është larguar këtë verë nga bardheblutë, ku duhet të qëndronte edhe 6 muaj për të plotësuar kontratën. Megjithatë, Tirana doli me përfitime në para, por humbi një talent në kohën që i duhej më shumë, pasi 21-vjeçari ka ardhur në formën e tij maksimale dhe po shkëlqen në çdo takim. Rreth 15 ditë më parë, ai u transferua te skuadra e Spartës së Pragës në Çeki, ekip me emër në arenën e futbollit europian. Debutimi i tij në radhët e kësaj skuadre ka qenë më shumë sesa një këmbë e mbarë. Ai e nisi me gola në takimet miqësore dhe brenda grupit, po ashtu në javën e parë të kampionatit arriti të japë asist për një nga shokët e tij të skuadrës, duke u bërë protagonist që në takimin e parë. Një javë më vonë ai shënon edhe golin e tij të parë në një përballje zyrtare. Tashmë Bala e ka fituar vendin e tij në formacion, gjë e cila është e vështirë për futbollistët e tjerë shqiptarë në klube të ndryshme europiane. Megjithatë, futbollisti po vazhdon ambientimin në radhët e Spartës, për të qenë më frytdhënës në të ardhmen e tij. Për gazetën “Shqip”, Bala tregon ekskluzivisht eksperiencën e tij të paktë me çekët, e cila është më tepër se e kënaqshme për të:


“Më vjen mirë që unë jam një nga futbollistët shqiptarë që shpërblej besimin që më japin. Arrita kalimin në Çeki, pasi kjo ishte ajo që doja. Sot, të gjithë luftojnë për pagesën. Nuk them se isha i pakënaqur te Tirana, por gjithnjë kërkoj më shumë nga vetja. Tashmë jam pothuajse pjesë e grupit në këtë ekip, them kështu, sepse gjithnjë është e vështirë në një ambient që nuk e njeh. Unë kam luajtur edhe në Turqi me skuadrën Gençebiriligi, por vetë mosha e vogël dhe eksperienca më bënë që të kthehem në Shqipëri. Kjo më ka shërbyer për më mirë, sepse u rrita edhe më shumë në aspektin profesional dhe atë fizik. Tashmë po shoh që në ekip po bëj diferencë dhe më vjen mirë. Arrita të shënoj që në takimet e para miqësore dhe në testet që më vendosi trajneri. Gjithashtu, shënova edhe gol në takimin e javës së dytë. Kapa formacionin, kjo ishte “lufta” që kisha me veten, ndërsa më pas erdhën të tjerat. Pothuajse të gjithë këtu në Çeki më duan.”


Mw tej Bala thotw se drejtuesit e klubit e pëlqejnë lojën e tij dhe tashmë i duket vetja si në familje, sepse të gjithë kanë filluar t’i flasin Bekim, e jo në mbiemër. “Edhe në shtypin e përditshëm më shkruhet emri më tepër sesa mbiemri”, deklaron Bekimi.


Ndërsa më pas ai zbulon se është thirrur për ndeshjen e fundit me Shpresat nga trajneri Skënder Gega, por që ka sinjale edhe nga Kombëtarja A. Për më tepër ai thotë: “Në datën 3 shtator më kanë thirrur për transfertën e fundit që kemi kundër Moldavisë. Më duhet patjetër të shënoj në këtë takim, pasi varet fati im për në kombëtaren e madhe. Sinjalet e para më kanë ardhur, por pres ftesën zyrtare nga federata. Jam i gatshëm të luaj. Besimin që më kanë dhënë të gjithë dua t’ua shpërblej”, deklaron shkodrani, i cili ka shënuar 4 gola në 13 takime të luajtura me Shpresat. Ndërsa në total ai ka shënuar 41 gola në 97 ndeshje, pra me mesatare të përafërt 0.42 gola në takim.


 


Të dhëna shkurt për sulmuesin


Tirana – Pas kthimit nga Turqia, Bekim Bala firmosi 2 vjet kontratë me Tiranën, por vetëm një vit e gjysmë qëndroi


Transferimi – Futbollisti u ble në mesin e muajit gusht nga skuadra e Spartës së Pragës me klauzolë 90 mijë euro


Pagesa – 2.5 herë më shumë paguhet shkodrani në radhët e çekëve, pasi merr 200 mijë euro në sezon


Debutimi – Në ndeshjen e javws sw dytë kundër Slovakos ai shwnoi golin e dytë në minutën e 13


Shpresat – Trajneri Skënder Gega i U-21, e ka thirrur për ndeshjen e 6 shtatorit kundër Moldavisë


 


Tirana


Problem, mungojnë Ferraj e Pashaji


Bardheblutë do të ndeshen sot me skuadrën e Tomorit për ndeshjen e javës së parë të kampionatit. Kryeqytetasit po e presin me padurim këtë takim për ta nisur me këmbën e mbarë, sepse në synimet e tyre janë të dy trofetë, si ai Kampion dhe fitues i Kupës së Republikës. Megjithatë, dëmtimet në radhët e 24 herë kampionëve nuk kanë të sosur. Në finalen e Kupës së Republikës, më 17 maj kundër Skënderbeut, u dëmtua Nertil Ferraj, ndërsa pak ditë përpara se të luhej takimi i Superkupës u dëmtua mbrojtësi Entonio Pashaji. Të dy futbollistët janë pjesë e pandashme e formacionit të Tiranës, e sidomos në këto ditë të vështira që po kalon klubi. Kjo, sepse merkato nuk ka ecur me ritmet e parashikuara. Gjithashtu largimi i mbrojtësit Elvis Sina në radhët e Flamurtarit ka krijuar problem në mbrojtjen e Tiranës. Pra, bardheblutë shkojnë me probleme drejt Beratit.


 


Amnistia


Shkumbini kërkon faljen e FSHF-së


Në fund të sezonit të shkuar të futbollit në Shqipëri u dënuan nga Komisioni i Disiplinës së Futbollit dy skuadra. Kukësi për dhunë të ushtruar nga tifozët drejt ekipit kundërshtar dhe lojtarëve vendas, dhe Shkumbini për thyerje rregulloreje. Por, çudia ndodh se kuksianët, të cilët debutojnë në Superligë për herë të parë, janë falur nga FSHF-ja dhe takimi do të luhet në praninë e tifozëve. Për hir të së vërtetës është ndërtuar një stadium model, por sjellja e FSHF-së nuk është e tillë. Pas kësaj faljeje, edhe peqinasit që vuajnë të njëjtin dënim kërkojnë amnistinë e drejtuesve të federatës për takimin e parë që do të luajnë ditën e diel kundër Teutës në “shtëpi”. Megjithatë, çudirat në kampionatin tonë nuk kanë të mbaruar, ndaj mund të ndodhë edhe ndonjë tjetër në orët në vijim.


 


Merkato


Sina në Vlorë, gati për Bylisin


Vlonjatët i kanë vënë “kapak” merkatos verore. Pas ardhjes te Flamurtari të futbollistëve me emër si: Muzaka, Bratiç, Mici, Vukçeviç, Memelli e Pepa, ka mbërritur edhe i fundit, i cili dukej i shumëkërkuar nga drejtuesit e Flamurtarit. Ditën e djeshme, ish-kapiteni i Tiranës i është bashkangjitur skuadrës që drejton tekniku Shkëlqim Muça pas shumë orësh bisedime dhe tratativa me drejtuesit e Tiranës për t’i dhënë leje kalimin lojtarit. Më në fund mbrojtësi bëhet pjesë e vlonjatëve dhe nga burime të sigurta pranë stafit teknik të Flamurtarit, futbollisti do të jetë pjesë e formacionit për takimin e ditës së diel kundër Bylisit. Tashmë kuqezinjtë e Vlorës janë nën ethet e sfidës së parë, pasi mallakastriotët luajnë për të njëjtat kërkesa që kanë edhe vlonjatët.