Pas Armando Sadikut dhe Jahmir Hykës, ishte Bekim Balaj që kompletoi një fundjavë pozitive për futbollistët e kombëtares shqiptare që luajnë në Europë. Sulmuesit shkodran i mjaftuan vetëm 3 minuta për të lenë shenjën e tij në sfidën mes Krylia Sovetov dhe Terek Groznit duke e mbyllur me gol këtë sezon të Premier Leagues ruse.
Balaj realizoi një gol të bukur me kokë për t’i cuar shifrat në 0-3 duke hipotekuar fitoren e Terekut që triumfoi 1-3 në javën e fundit, por pavarësisht fitores skuadra nga Cecenia nuk arriti të siguronte dot kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm, pasi u rendit e 5-ta me vetëm 1 pikë më pak se Krasnodari i vendit të 4-t. Te Terek Grozni luajnë 3 futbollistë shqiptare Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Bernard Berisha, por asnjëri prej tyre nuk e nisi ndeshjen ndaj Krylias që nga fillimi.
Në minutën e 73-të, trajneri i miqëve Rakhimov hodhi në fushë pikërisht 26-vjecarin nga Shkodra në vend të sulmuesit tjetër Mbengue, autori i golit të parë për Terkun. Vetëm 3 minuta dhe Balaj realizoi një gol prej bomberi të vërtetë pas një krosimi të rumunit Torje nga këndi. Ky ishte goli i 9 në kampionatin rus për kuqeziun që u pozicionua i 5-ti në listën e golashënuesve më të mirë.
Balaj iu afrua edhe golit të dytë personal në këtë sfidë pas një shpërthimi nga krahun i majtë i sulmit por goditi vetëm rrjetën e jashtme. Në fund kishte edhe disa minuta për lojtarin e përfaqësues së Kosovës, Bernard Berisha, ndërsa Odise Roshi e ndoqi gjithë takimin nga stoli. Pas Sadikut dhe Hykës pak javë përpara ndeshjes shumë të rëndësishme ndaj Izraelit, Gianni De Biasi merr një sinjal pozitiv edhe nga Bekim Balaj.
22 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)