Briken Calja është rikthyer te medaljet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Peshëngritësi shqiptar ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare, duke fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes dhe duke vendosur rekorde të reja, në një garë që merr një rëndësi të veçantë edhe për vetë sportistin pas vështirësive të viteve të fundit.
Calja ngriti 154 kilogramë në shkëputje, duke vendosur rekordin më të rëndësishëm të garës, ndërsa në total theu katër rekorde në dy stilet. Në stilin e shkëputjes ai regjistroi rekorde në 47, 52 dhe 154 kilogramë, ndërsa vendosi një tjetër rekord edhe në stilin e shtytjes. Përveç medaljes së artë në shkëputje, Calja siguroi edhe medaljen e bronzit në stilin e shtytjes, duke e mbyllur paraqitjen në Lojërat Mesdhetare me një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij.
Por pas triumfit, në një intervistë për Top Channel, kampioni shqiptar rrëfeu se rruga drejt kësaj medaljeje nuk ka qenë aspak e lehtë. “Ky është mbi të gjitha një rezultat historik. Përveç medaljes së artë në stilin e shkëputjes, theva dhe katër rekorde. Ky është një lajm shumë i mirë dhe mbi të gjitha një rezultat fantastik”, tha Calja.
Peshëngritësi shqiptar tregoi se ky rikthim kishte një rëndësi të veçantë edhe në planin personal, pasi kishte kaluar një periudhë të vështirë dhe kishte qëndruar për rreth dy vite larg aktivitetit.
“Pas 13 vitesh, kur kisha dhe probleme të mëdha dhe isha në një pauzë prej dy vitesh, ishte ëndrra ime më e madhe që të rikthehesha sërish me medalje dhe të isha prezent në Lojërat Mesdhetare. Normalisht që është diçka shumë madhore për mua”, u shpreh ai. Calja falënderoi familjen, njerëzit që e kanë mbështetur, klubin Tirana, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit, duke e cilësuar ndryshimin e ligjeve dhe mbështetjen institucionale si një stimul të rëndësishëm.
Por përtej medaljes dhe rekordeve, kampioni shqiptar zbuloi edhe vështirësitë me të cilat është përballur para garës.
Një prej tyre ishte rënia e konsiderueshme në peshë.
“Vështirësitë më bëjnë akoma më të fortë. Një ndër vështirësitë e mia më të mëdha ishte rënia nga pesha. Humba gati 7 kilogramë e gjysmë deri në 8 kilogramë dhe ishte një nga sfidat e mia më të mëdha. Fatmirësisht ia dola dhe ndihem jashtëzakonisht shumë i lumtur”, tregoi Calja për Top Channel.
Por më pas ai foli hapur edhe për atë që e cilësoi si problem kryesor: mbështetjen nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.
Sipas Caljës, vendimi për të mos dërguar trajnerin e tij në aktivitet ka ndikuar edhe psikologjikisht tek ai. “Një ndër problematikat kryesore ishte mbështetja e Federatës, që la shumë për të dëshiruar dhe mbi të gjitha ka qenë një dëm nga ana psikologjike. Më hoqën trajnerin. Nuk çuan trajnerin, që ishte kryesore”, deklaroi ai.
Calja tha se situata u zgjidh pas ndërhyrjes së Komitetit Olimpik, që sipas tij bëri të mundur rikthimin e emrit të trajnerit në delegacion. “Fatmirësisht, gjej rastin të falënderoj Komitetin Olimpik për rifutjen e emrit të trajnerit te shtesat. Ishte një moment që për mua… nuk di të gjej fjalën, sepse është vërtet për të ardhur keq. Nuk mund t’i hiqet trajneri kampionit të Botës dhe të Evropës! Por fatmirësisht ia dolëm dhe po flasim për medalje”, u shpreh kampioni shqiptar.
Në fund, Calja foli edhe për debatin rreth brezit të ri në peshëngritjen shqiptare.
Ai tha se është dakord që të rinjtë duhet të kenë hapësirën e tyre, por kundërshtoi idenë që sportistët me rezultate të mëdha të anashkalohen. “Unë jam shumë dakord që të rinjtë janë e ardhmja, por nuk mund të anashkalosh një kampion Evrope, një kampion Bote, që herë pas here…është pjesë e medaljeve”, tha Calja.
Dhe në fund, kampioni shqiptar e mbylli me një deklaratë që ngre pikëpyetje të forta mbi raportin e tij me Federatën: “Jo më larg se para tre-katër muajve u rishpalla kampion Evrope dhe së fundmi kampion i Mesdheut, dhe mbështetja e Federatës është… më mirë mos e them sepse është qesharake.”
Kështu, Briken Calja largohet nga Lojërat Mesdhetare me medalje të artë, medalje bronzi dhe katër rekorde, por edhe me një mesazh të fortë për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar nga institucioni që duhet të mbështesë një prej sportistëve më të suksesshëm të peshëngritjes shqiptare.
Top Channel
