Bylisi shpartallon Laçin, Kukësi ndalet te barazimi në shtëpi ndaj Teutës
Altin Manallari
Pas Tiranës të shtunën, hapi fals i Besës dje në Krujë, ku u mund 2-0 nga Kastrioti, i jep mundësinë Vllaznisë të marrë për herë të parë në këtë sezon vendin e dytë në klasifikim, falë fitores 1-0 në shtëpi ndaj Shkumbinit. Bylisi masakron Laçin 4-0 në Ballsh, ndërsa Kukësi ndalet në shtëpi nga një barazim 1-1 përballë Teutës.
Vllaznia e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ngjitet në vendin e dytë në renditjen e Superiores, pas fitores minimale në javën e tetë, por që kishte vlera të shumëfishta dhe i fut kuqeblutë më shumë se kurrë në këtë kampionat në luftën për titull. Goli i Tefik Osmanit, realizuar shumë herët, që në minutën e 6, është mbrojtur me fanatizëm nga shkodranët, që kanë vuajtur disi në pjesën e dytë. Ata janë vënë sërish përballë Shkumbinit, kësaj here në Shkodër, pasi ishin mundur minimalisht për Kupë në mesjavë. Një duel deri-diku i lehtë në letër për kuqeblutë e Shpëtim Duros, por jo dhe aq në terrenin e rënduar nga shirat e shumtë, që kanë rënë në kryeqendrën e Veriut edhe gjatë lojës, që me dëshirën e madhe për të mbetur në korsinë e pretendimeve për trofe, nuk e kishin bërë pushim as ditën e Bajramit, për t’i pasur të karikuara më së miri bateritë për sfidën e radhës, por edhe për të tjerat në vazhdim. Fitorja ndaj peqinasve është tashmë mision i kryer, ajo i ngjit në vendin e dytë kuqeblutë, ndaj tani nis edhe pjesa më e vështirë. Sepse për të mbrojtur një pozicion të tillë kryesues është më e vështirë se për ta fituar. Besa e vendit të dytë s’e ka ngjitur dot me sukses maloren e Krujës, duke u kthyer nga “qyteti kala” e mundur 2-0. Me pesë mungesa të rëndësishme në formacion, pritej të ishte tepër i vështirë misioni i Ilir Dajës dhe të tijve ndaj Kastriotit. Ky i fundit nuk fal lehtë në shtëpi, sikurse e dëshmoi edhe këtë të diel ndaj verdhezinjve, aq më tepër që ndryshimet në stolin drejtues kanë dhënë vërtet reagime pozitive. Krutanët festojnë në fund të javës së 8. Kavajasit kishin 5 mungesa titullarësh në radhët e tyre, një minus i madh për një transfertë të tillë. Poci, Kaja, Roshi, Mustafa dhe Berisha janë “shtylla kurrizore” e verdhezinjve, pa të cilët ishte e pamundur ta ngjisnin me sukses maloren e Krujës. Bylisi shfaqet i plotë, duke marrë fitoren e tretë në kampionat, por ç’është më e rëndësishmja, gjen një goleador si Izucuku. Dy golat e shënuar në mesjavë ndaj Luftëtarit në Kupë, shto edhe tre të tjerët e kësaj të diele në kampionat, ndaj Laçit, dëshmojnë më së miri forcën konkluduese të këtij futbollisti, që shton pikë të çmuara në llogarinë ballshiote. Vendi i 7 për mallakastriotët, në kuotën e 11 pikëve, ndërsa kurbinasit e shohin veten një vend më poshtë, po me 11 pikë, veçse dy skuadrat në fjalë po ecin në kahje të kundërta javët e fundit. Gjuajtja e Allmuçës në minutën e dhjetë, ajo e Prognit, kur kronometri i kryesorit Meta shënonte minutën e 15-të, kanë qenë rastet e vetme të pastra për konkludim të kuksianëve në 20 minutat e para të ndeshjes së javës së 8. Verilindorët duket se e kishin marrë paksa lehtë këtë ballafaqim, ndërkohë që befasojnë durrsakët. Teuta luan bukur, me qarkullim të dendur e të saktë të topit, duke ia ngushtuar maksimalisht hapësirat e veprimit Kukësit.
SUPERIORE (Java VIII)
DJE
Kastrioti-Besa 2-0
S.Cela 2′, Gocaj 35′
Kukësi-Teuta 1-1
Allmuca 27′ (pen) / Nika 45+2′
Bylis-Laçi 4-0
Izucuku 24′, 48′, Sefa 70′, 77′
Vllaznia-Shkumbini 1-0
Osmani 6’
TË SHTUNËN
Luftëtari-Flamurtari 2-3
Shenaj 8′, Licaj 61′ / Memelli 59′, 85′, 90+4′
Apolonia-Tomori 2-2
Rama 26′. Rama 87′ / Hysko 71′, Frashëri 83′
Skënderbeu-Tirana 2-0
Pejiç 50′, 77′
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Skënderbeu 8 20
2. Vllaznia 8 15
3. Besa 8 14
4. Tirana 8 13
5. Kukësi 8 12
6. Kastrioti 8 12
7. Bylis 8 11
8. Laçi 8 11
9. Teuta 8 11
10. Flamurtari 8 9
11. Luftëtari 8 7
12. Shkumbini 8 6
13. Apolonia 8 4
14. Tomori 8 3