Besëlidhja e nis me një fitore shumë të rëndësishme fazën play off të Grupit A. Skuadra lezhjane u mjaftua me një gol në pjesën e dytë për të kaluar Erzenin e Shijakut dhe për të forcuar pozitat në vendin e dytë ku tashmë ndodhet me 1 pikë më pak se Kamza që do të sfidojë të Shtunën Burrelin në transfertë. Skuadra e trajnerit Alban Bruka dominoi në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut por nuk arriti ta zhbllokonte sfidën në pjesën e parë.


Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, lezhjanët u shfaqën më kërkues dhe e gjetën golin në minutën e 75 me autor Hepajn. Vendasit protestuan gjatë duke pretenduar për pozicion jashtë loje por shifrat nuk ndryshuan dhe Besëlidhja largohet me 3 pikë të arta nga transferta e parë e 8 ndeshjeve të fundit të këtij sezoni ku do të vendoset edhe fati i skuadrës që do të ngjitet në Kategorinë Superiore.


Me këtë sukses, Besëlidhja ngjitet në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Kamza vazhdon të kryesojë me 24. Erzeni i largohet pothuajse përfundimisht ëndrrës për ngjitjen në Superiore pasi me 19 pikë, misioni i shijakasve bëhet edhe më i vështirë.


10 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)