Nga goja e Xhani De Biazit dalin vetëm fjalë të mira për mënyrën se si Kombëtarja u përball me Kamerunin në miqësoren e mërkurës në Gjenevë, e cila përfundoi 0-0. Në një konferencë për shtyp në ambientet e FSHF-së, tekniku italian ka vlerësuar pozitivisht vitin e tij të parë në krye të Shqipërisë, ku thekson se e mori detyrën në një moment tranzicioni, ndërsa tani sheh një ekip që ka gjetur ekuilibrat. Trajneri e ka nisur që me ndeshjen me Kamerunin, ku është shprehur se Shqipëria mund ta fitonte këtë miqësore. “Duke parë ndeshjen e djeshme që e kemi luajtur ndaj kundërshtarëve të fortë fizikisht dhe ne jemi treguar të zotët që nuk luajtëm si ata, pasi ne duhet ta mbështesim lojën tonë te cilësi të tjera, duhet të përdorim mendjen, të luajmë me topa të shkurtër dhe të jemi të shpejtë. Në 20 minutat e para vuajtëm nga frika dhe nuk vumë në jetë këto cilësi, pasi vuajtëm presionin e kundërshtarit dhe nëse në fund do të kishim marrë diçka më shumë nuk do të ishte fundi i botës. Bëmë një paraqitje të mirë, edhe pse kishim pak kohë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen. Megjithatë, skuadra lëvizi shumë mirë në fushë, gjë që tregon se lojtarët i kishim mbajtur mend ato që u kisha thënë në ndeshjen e fundit”, deklaroi tekniku, i cili tashmë bën edhe bilancin 1-vjetor në drejtimin e Shqipërisë. “Kemi mbyllur ciklin 1-vjeçar me Kombëtaren dhe mund të them se kemi një bilanc pozitiv. Skuadra po rritet dhe përmirësohet dhe kjo duket në aspektin teknik. Kjo është domethënëse, pasi kemi arritur një ekuilibër dhe unë mendoj se kjo është më e rëndësishmja për një skuadër që do të shkojë përpara. Në fillim skuadra ishte në periudhë tranzicioni. U larguan lojtarë të rëndësishëm, por tani kemi lojtarë në kulmin e tyre dhe shumë të rinj të talentuar. Jam i kënaqur nga fryma e grupit që ka kjo skuadër. Çdo lëvizje në fushë, skuadra mendon dhe vepron në grup. Besoj se kjo skuadër mund dhe duhet të bëjë më shumë”. Rikonfirmon se në këtë një vit ka vetëm një peng, humbjen me Islandën: “Unë nuk e duroj dot humbjen në përgjithësi dhe aq më tepër kur nuk e meritoj. Kur më thonë miqtë se mund të barazonim me Islandën më vjen të hidhem nga dritarja, imagjinoni kur mendoj se mund të fitonim dhe tani do të kishim 9 pikë në vend të 6”. Ndërkohë që të ardhmen De Biazi e shikon me optimizëm të madh “Mendoj se nëse ky grup lojtarësh nuk dëmtohet ne do t’ia sjellim ngushtë të gjithë kundërshtarëve. Më vjen keq që nuk mund të luajmë përsëri me Zvicrën dhe Islandën. Po shikoj që ky ekip që më parë nuk mbante topin, tani e kryen këtë detyrë më mirë. Unë kur jam me ta përpiqem t’i mësoj si të luajnë si grup, pasi duhet të marrin vendimet në një kohë të shkurtër kur janë në fushë”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i kuqezinjve, Xhani De Biazi.


 


Pengu Islanda


“Kur më thonë miqtë se mund të barazonim me Islandën më vjen të hidhem nga dritarja, imagjinoni kur mendoj se mund të fitonim dhe tani do të kishim 9 pikë në vend të 6”