Futbollisti i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, vetëm 18 vjeç, shpesh gjendet në qendër të vëmendjes jo vetëm për talentin në fushë, por edhe për jetën private e familjare. Kësaj here, protagonistja është nëna e tij, Sheila Ebana, e cila ka nisur një sipërmarrje të re që ka ngjallur debat në rrjetet sociale dhe media.

Në profilin e saj në Instagram, ku ka mbi 358 mijë ndjekës, Ebana ka publikuar një event që do të mbahet më 7 nëntor në Londër, në hotelin luksoz Nobu London Portman Square, pranë Hyde Park. “Përgatituni të takoni Sheila Ebanën, nënën e njërit prej futbollistëve më të mirë në botë”, shkruhet në njoftim.

Eventi, i konceptuar si një darkë festive me shampanjë, muzikë live dhe DJ, do të zgjasë rreth katër orë dhe është i ndaluar për të miturit. Çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 800 euro në varësi të paketës:

  • Standard (150 €): koktej mirëseardhjeje dhe menu me tre pjata;
  • Premium (360 €): vend më të mirë në sallë dhe bar i hapur me shampanjë;
  • VIP (800 €): tavolinë preferenciale, bar i hapur dhe foto me Sheila Ebanën.

Ndërkohë që organizatorët theksojnë se biletat po shiten me shpejtësi, polemikat nuk kanë munguar. Kritikat lidhen me faktin se për të marrë pjesë në këtë darkë duhet të paguhen shuma të konsiderueshme vetëm për të ndarë një tavolinë me nënën e një futbollisti të ri, i cili është bërë i famshëm për ngritjen e tij të shpejtë në futbollin europian.

Lamine Yamal vetë nuk do të jetë i pranishëm, pasi të nesërmen do të zbresë në fushë në një ndeshje të La Ligës kundër Celta Vigos.

Sheila Ebana deri më sot ka mbajtur një profil të ulët, duke u shfaqur kryesisht si mbështetje për djalin e saj. Ndërkohë, babai i lojtarit, Mounir Nasraoui, ka qenë më shpesh në qendër të vëmendjes për sjelljet dhe deklaratat e tij kontraverse. Tashmë, të dy prindërit duket se po shfrytëzojnë famën e Yamal-it për përfitime financiare.