
Boksierët kosovarë sërish nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi për të marrë pjesë në Botërorin në Beograd. Është hera e tretë që boksierët kosovarë janë kthyer mbrapsht.
“Qëndruam dy orë në kufi, nuk na lejuan të kalojmë, po kthehemi”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli për KOHËN.
Lajmin për moslejimin e futjes së ekipit të Kosovës në Serbi, e ka konfirmuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Ekipi i boksit të Kosovës nuk u lejua as sot të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që sonte nis në Beograd. Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi. Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm. KOK dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet nga KOK-u.