Një lajm që ka tronditur futbollin spanjoll po qarkullon në rrjetet sociale, me pretendimin se Real Madrid ka paraqitur një ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez.

Sipas informacionit të publikuar, klubi madrilen i ka dërguar një ofertë zyrtare Atlético Madridit për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga sulmuesit më të kompletuar në futbollin europian.

Madje, në deklaratën e cituar thuhet se: “Real Madrid CF njofton se ka bërë një ofertë prej 150 milionë eurosh ndaj Atlético Madrid për të drejtat e lojtarit Julián Álvarez.”

Megjithatë, sipas të njëjtave raportime, Atlético Madrid e ka refuzuar menjëherë ofertën, duke treguar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej yjeve kryesorë të skuadrës.

Nëse një transferim i tillë do të realizohej, ai do të ishte ndër më të bujshmit në historinë e futbollit spanjoll, duke pasur parasysh rivalitetin e madh mes dy klubeve të kryeqytetit.