Arbitri francez Clement Turpin do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes vendimtare mes Bosnjës dhe Italisë, e vlefshme për kualifikimin në Botërorin e kësaj vere.

43-vjeçari konsiderohet një nga arbitrat më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare, me mbi 600 ndeshje të gjykuara në karrierën e tij. Një pjesë e konsiderueshme e tyre i përkasin kompeticioneve europiane, ku ai ka qenë i pranishëm në Champions League, Europa League dhe Conference League.

Turpin ka drejtuar edhe finale të rëndësishme, përfshirë atë të Ligës së Kampioneve mes Liverpool dhe Real Madrid në Paris, si dhe finalen e Europa League 2021 mes Villarreal dhe Manchester United në Gdansk. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e arbitrimit në ndeshje të Botërorit dhe Kampionatit Europian.

Sa i përket Italisë, Turpin ka gjykuar pesë ndeshje të saj, me një bilanc prej tre fitoresh dhe dy humbjesh. Një nga humbjet më të dhimbshme për “Të Kaltrit” mbetet ajo në Palermo ndaj Maqedonisë së Veriut, që i kushtoi Italisë mungesën në një Botëror për herë të dytë radhazi.