Mbrojtësi Adrian Bajrami ka folur për herë të parë që kur vendosi të braktiste kombëtaren e Shqipërisë për atë të Zvicrës, për të cilën thotë se ndihet “si në shtëpi”.
Bajrami ishte ftuar nga trajneri Sylvinho për ndeshjet e shtatorit 2025, por në vend të kësaj ai lajmëroi se kishte vendosur të luante për Zvicrën. Tani, Bajrami ka marrë ftesë nga Zvicra për ndeshjet e tetorit dhe do të grumbullohet me ekipin e drejtuar nga Murat Yakin. Teksa u pyet për Granit Xhakën, ai tha se mezi pret ta takojë, pasi e ka admiruar gjithmonë.
“Nuk e njoh personalisht ende, por mezi pres ta takoj. Ai është një model për shumë futbollistë të rinj. Ishte e njëjta gjë edhe për mua. Gjithmonë e kam admiruar Granitin. Unë kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Është shtëpia ime. Që kur fillova të luaja për FC Luzern, e kam kuptuar edhe më shumë sa rehat ndihem këtu. Nuk mundem, nuk dua dhe nuk do t’i fsheh kurrë rrënjët e mia nga Shqipëria, jam krenar për to. Por në thelb, është e qartë se ndihem si në shtëpi në Zvicër”, tha mes të tjerash mbrojtësi 23-vjeçar.