Mes një atmosfere të mbushur me emocione, Kombëtarja kuqezi më në fund ia doli të “thyejë mallkimin” ndaj Letonisë. Pas gjashtë përballjesh që kishin sjellë vetëm barazime, djemtë e Silvinjos arritën të marrin fitoren e parë historike ndaj këtij kundërshtari.

Sfida, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, u mbyll me rezultatin minimal 1-0 në favor të Shqipërisë. Vendimtar ishte goli i Kristjan Asllanit në minutën e 25-të, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke siguruar tre pikë me peshë në rrugën drejt Botërorit.

Pas vërshëllimës së fundit, kryeqyteti shpërtheu në festë. Tifozët mbushën rrugët, duke kënduar e kërcyer për suksesin e kuqezinjve.

Në këtë mbrëmje të veçantë nuk munguan edhe urimet për ditëlindjen e 24-të të Armando Brojës. Ministri Taulant Balla, i cili shpesh është parë pranë skuadrës kombëtare, e takoi personalisht sulmuesin kuqezi dhe ndau me të një foto, të shoqëruar me një mesazh në rrjetet sociale:
“Gëzuar ditëlindjen Armando, dëshira është goli me Serbinë!”.