Bajerni i Mynihut funksionon në perfeksion në startin e Bundesligës duke marrë fitoren e tretë në po kaq ndeshje. Pa sponsor në fanellë, pasojë e javës së integrimit, një nismë kjo e Kryeministres Angela Merkel për integrimin e emigrantëve në jetën shoqërore në Gjermani, por me shumë dëshirë për fitore, skuadra e Hejnkes, likuidoi 3-1 në shtëpi Majncin, një kundërshtar që këto vitet e fundit i kishte hapur jo pak probleme.
Starti ishte i jashtëzakonshëm për vendasit që në 12 minuta lojë e panë veten në avantazh të dyfishtë, falë realizimit të Mandzukic, që konfirmohet si një blerje e vlefshme dhe Bastian Shvajnshtajger. Rezultati duket se vë në gjumë bavarezët dhe është Adam Szalai ai që i zgjon nga gjumi, kur shkurton diferencën në 2-1. Fitorja mbetet në fije të perit deri në fund, kur Toni Kros shënon golin e 3 që vulos suksesin e bavarezëve. Borusia e Dortmund bind në shtëpi ndaj Leverkusenit. Ekipi i Jurgen Klop dominon dhe fiton 3-0 përpara publikut të tij, falë realizimeve të Humels dhe dy polakëve Blacikovski e Levandovski.
Rezultatet
Bayern München 3-1 Mainz
Borussia Dortmund 3-0 Bayer Leverkusen
Hannover 96 3-2 Werder Bremen
Mönchengladbach 2-3 Nürnberg
VfB Stuttgart 0-0 Fortuna Düsseldorf