Kapiteni i kombëtares nënshkruan për dy sezone. Largohet nga Lacio, duke i falur një pjesë të rrogës


ITALI – Lorik Cana i ka dhënë lamtumirën Lacios pas katër sezonesh, ku ka luajtur 111 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola


FRANCË – Kapiteni i kombëtares rikthehet në Ligën 1 pas 6 vjetësh, pas përvojës me Paris SG dhe Olimpik Marsejë


ERION ABULE


Lorik Cana_1Tashmë është zyrtare, Lorik Cana është një futbollist i FC Nantë. Lajmi është komunikuar nga vetë klubi francez përmes profilit në rrjetin social “Twitter”: “Lorik Cana ka nënshkruar për 2 vjet me FC Nantë”. Në këtë mënyrë, kapiteni i kombëtares, pas 4 sezonesh me fanellën e Lacios dhe 2 sezonesh mes Sandërlendit dhe Gallatasarajit, rikthehet në Ligën 1, ku më parë është aktivizuar me Paris SG dhe Olimpik Marsejë. Cana, i cili është grumbulluar edhe me kombëtaren shqiptare në prag të dy sfidave të rëndësishme eliminatore për “Euro 2016” ndaj Danimarkës dhe Portugalisë, ka udhëtuar nga Italia menjëherë në drejtim të Francës. Ai u shpreh i lumtur për skuadrën e tij të re: “Jam i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Është folur dhe për skuadra të tjera, por në fund zgjodha Nantën sepse dhe drejtuesit e këtij ekipi e dëshironin shumë një marrëveshje të tillë. Jam i kënaqur që do të rikthehem në Francë”, – tha numri 5 i kuqezinjve për “Sport News”. Marrëveshja ishte arritur prej ditësh, mungonte vetëm firma dhe zyrtarizimi nga klubi francez. Mbrojtësi 32-vjeçar ka zgjidhur në mënyrë konsensuale kontratën me Lacion, me të cilën kishte edhe një vit kontratë, duke nënshkruar me Nantën për 2 vjet. Skuadra romane u bë fillimisht pengesë për transferimin e tij në Francë, pasi kërkonte një shumë parash nga Nanta që të lejonte kalimin, por Cana e ka zgjidhur situatën duke ndërprerë kontratën dhe duke i falur italianëve një pjesë të rrogës, pasi ai fitonte 1.7 milionë euro në sezon. “Në fakt, zgjedhja e Nantës u kushtëzua disi dhe nga pengesat e krijuara nga klubi i Lacios, – vazhdon mbrojtësi i Shqipërisë. – Për fat gjithçka u mbyll para grumbullimit të kombëtares dhe tashmë mund të stërvitem qetësisht me përfaqësuesen për të përgatitur sa më mirë këto sfida”. Cana nuk ishte më pjesë e planeve të trajnerit Stefano Pioli dhe koha për të gjetur një skuadër të re, sidomos në prag të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian, nuk mjaftonte. Menaxheri i lojtarit, i cili është babai i tij, ka këmbëngulur që gjithçka të mbyllej sa më shpejt dhe në ditën e fundit të merkatos në Itali marrëveshja është zyrtarizuar. Kapiteni i kombëtares vlerësohet si një goditje e rëndësishme në merkato, ku do të zëvendësojë mbrojtësin Papy Djilobodji, të transferuar te Çelsi i Murinjos në Angli. Lorik Cana te Nantë nuk do të jetë shqiptari i vetëm, pasi do t’i bashkohet pas ndeshjeve me kombëtaren edhe mbrojtësit të majtë Ermir Lenjani, i cili ka shënuar golin e parë në debutimin e tij një javë më parë. Pas katër javësh kampionat, Nanta ndodhet në vendin e 8 në renditje, në kuotën e 7 pikëve. Në ndeshjen e fundit, skuadra e re e dy shqiptarëve tashmë, humbi 2-0 në fushën e Bordosë, ku Lenjani është ndëshkuar edhe me karton të kuq nga gjyqtari.