“Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit për të qartësuar idetë për ekipin e eliminatoreve


Kapiteni i Kombëtares kuqezi karikon skuadrën


Pas zgjidhjes së gjetur për ndriçimin e stadiumit “Qemal Stafa” me energji elektrike që do të prodhohet nga një gjenerator, vëmendja e Kombëtares së Shqipërisë është rikthyer tek aspektet sportive të përballjes miqësore me Moldavinë. Ky takim do të jetë testi i fundit për rreth 34 lojtarë, që ka parë e stërvitur trajneri De Biazi, për të seleksionuar edhe grupin që do të përbëjë përfaqësuesen tonë për eliminatoret e Botërorit 2014. Koha në dispozicion duket të jetë e shkurtër, megjithatë Lorik Cana beson se grupi i ri i lojtarëve ka elementë shumë të mirë.


Lorik, sa të motivuar jeni për sfidën kundër moldavëve?


Sigurisht që e kemi vlerësuar si një ndeshje shumë të rëndësishme, ashtu siç edhe kemi bërë gjithmonë. Duke pasur parasysh faktin se na kanë mbetur vetëm tri javë nga ndeshja zyrtare me Qipron, atëherë dëshirojmë të japim maksimumin. Pas ndeshjes me Moldavinë, trajneri do ta ketë më të qartë situatën, për të përgatitur sfidën me Qipron dhe gjithë fazën eliminatore.


Trajneri i Moldavisë (Ion Karas) ka deklaruar se e vlerëson shumë këtë sfidë, që është testi i tyre para Anglisë. Madje na ka vlerësuar në një rang me kombëtaren e Runi&Co…


(Qesh) Sigurisht që e vlerësojmë respektin e treguar dhe vlerësimin e trajnerit kundërshtar. Edhe ne e njohim pak a shumë Moldavinë. Por ne nuk jemi në nivelin e Anglisë. Të gjithë e dimë se, Shqipëria ka shumë kualitete, ka një skuadër që do të ecë përpara. Në vendin tonë, ne jemi një skuadër shumë e fortë. Unë besoj se do të jetë një ndeshje interesante për të dyja skuadrat. E kemi studiuar kundërshtarin dhe, pavarësisht se nuk ka një emër të madh në skenën ndërkombëtare, është një rival që ka shumë talente, sidomos në sulm.


A është një objektiv real një vend i tretë në grupin tonë në eliminatoret e Botërorit 2014?


Qëllimi minimal është të mos shkojmë më poshtë se vendi i katërt, por objektivi ynë është të renditemi më lart se vendi i katërt. Ne kemi në grup skuadra me një nivel më të lartë se i yni, si Zvicra, Norvegjia, por ato nuk janë favorite siç ishte Franca në eliminatoret e Euro 2012. Ne do ta luajmë rolin dhe shansin tonë deri në fund. Për herë të parë, Shqipëria e ka mundësinë që të fitojë çdo ndeshje në shtëpi. Do të luajmë të marrim pikë dhe jashtë fushës sonë, në këtë edicion shumë interesant. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se është më i lehtë.


A është i aftë ky grup lojtarësh për t’i dhuruar Shqipërisë kualifikimin e ëndërruar në një Botëror apo Europian?


Personalisht kam gati 10 vjet në Kombëtare dhe kam kaluar me disa gjenerata lojtarësh. Çdo herë krijohet një ambient i ri, i pastër dhe sigurisht që kemi dëshirë të madhe, që një ditë të realizojmë ëndrrën që e kanë të gjithë shqiptarët, për të parë vendin e tyre në finalet e një Botërori apo Europiani.


 


Krahasimi


“Ne nuk jemi në nivelin e Anglisë. Të gjithë e dimë se, Shqipëria ka shumë kualitete, ka një skuadër që do të ecë përpara. Në vendin tonë, ne jemi një skuadër shumë e fortë”