Kapiteni
Mbrojtësi ka shpjeguar se pse është ulur në pankinë që prej datës 5 dhjetor
Lorik Cana nuk është aspak i shqetësuar me mungesën e tij në fushën e lojës për ekipin e Nantës. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, i afruar gjatë verës si blerja më e bujshme e klubit francez, ka shpjeguar për “20minutes.fr” se mosaktivizimi që prej datës 5 dhjetor, është pasojë e një pushimi të detyrueshëm për të rikuperuar forcat për pjesën e dytë të sezonit dhe për të përgatitur sa më mirë pjesëmarrjen në Euro 2016.
“Kam luajtur shumë në pjesën e parë të sezonit, nga shtatori në dhjetor, jam alternuar mes Nantës dhe Kombëtares. Kam pasur shumë ngarkesë, lodhje fizike dhe udhëtime. Tashmë po punoj për t’u riaftësuar fizikisht. Është e vërtetë se në një ndeshje që luhej në bar sintetik kam kërkuar të mos aktivizohem. Kam luajtur në Itali në një fushë të tillë dhe m’u desh një muaj riaftësim. Mosaktivizimi nuk më shqetëson, kënaqem edhe duke u stërvitur për të qenë i gatshëm fizikisht kur të vijë radha për të luajtur. E di që do të kem mundësi për të luajtur përsëri deri në fund të sezonit, pasi kam folur me trajnerin. Ai nuk më ka kërkuar të luaj çdo ndeshje, ndërsa objektivi im është të ndihmoj çdo ditë klubin, për të mbyllur sa më mirë sezonin si dhe të përgatitem sa më mirë për Europianin”, shpjegoi 32-vjeçari.
Kapiteni i kuqezinjve ka pranuar se aktivizimi i tij në këtë pjesë të dytë të sezonit me Nantën do të jetë i kufizuar në varësi të gjendjes fizike dhe përgatitjes së duhur për të qenë në maksimumin e formës për Euro 2016. “Një përgatitje e mirë për aktivitetin do të jetë të mos mbingarkohem fizikisht dhe të kem minutazhin e lojës që më lejon të kem ritmin e duhur për një ndeshje. Meqë nuk kam bërë asnjë pushim mes shtatorit dhe dhjetorit, po vuaj pak fizikisht. Ndaj më duhet t’i kthehem ushtrimeve fizike të bazës. Por jam i sigurt se do të jem në formë shumë të mirë fizike në verë. Si pasojë e eksperiencës time, trajneri De Biazi më ka lënë të qetë. E ka bërë këtë edhe në periudhën kur nuk luaja në klub. E di që nuk do të luaj të gjitha ndeshjet këtu, por as nuk mund të mbërrij në Europian me vetëm dy ndeshje të luajtura. Te Nanta, jam i bindur se kam mundësinë për të gjetur ekuilibrin e duhur”, shpjegoi Cana.