NOSTALGJI


Kapiteni kuqezi ka luajtur për herë të fundit në “Velodrome” me fanellën e Olimpik Marsejës në vitin 2009: “Kam luajtur në disa kampionate të tjera, por vitet më të bukura i kam te OM-ja”, – tha ai


EUROPIANI


Më pak se dy muaj pas ndeshjes së sotme, Cana do të kthehet sërish në “Velodrome”, por jo me Nantën, por si kapiten i Shqipërisë në ndeshjen e 15 qershorit ndaj Francës në fazën e grupeve në Europian


Mbrojtësi rikthehet pas 7 vjetësh në stadiumin ku më 15 qershor do të sfidojë “gjelat” në Europian


ERION ABULE


Lorik CanaRikthim në të shkuarën. Pa dyshim, plot emocione, për një histori që është shkruar me “germa të arta” dhe ka mbetur kujtim edhe sot e kësaj dite. Lorik Cana rikthehet në “dashurinë e tij të parë”, në stadiumin “Velodrome”, por këtë herë si kundërshtar. Kapiteni i kombëtares shqiptare që luan te Nantë në kampionatin francez, rikthehet në Marsejë pas 7 vjetësh për të sfiduar një nga ekipet më me emër, Olimpikun. Në javën e 35-të të Ligue 1, Cana nuk i ka harruar kujtimet e bukura dhe sukseset me ekipin që e promovoi në arenën europiane. Një rikthim me domethënie, sepse vjen 51 ditë përpara sfidës debutuese të Shqipërisë në Europian kundër Francës pikërisht në stadiumin ku ka hedhur hapat e parë. “Është një ndeshje që më jep kënaqësi të madhe, sepse rikthehem aty përsëri. Jam larguar nga Olimpik Marseja në vitin 2009, sepse kam kërkuar të zbuloj kampionate të tjera, sfida të tjera, por vitet më të mira janë patjetër aty,” – thotë Cana për sajtin e klubit francez, “om.net”. Ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Marsejës, futbollisti kuqezi e ka luajtur kundër Lionit. Pas OM-së, mbrojtësi 32-vjeçar ka kaluar eksperienca të tjera në Angli, më pas në Turqi, derisa u stabilizua përgjatë 4 sezoneve te Lacio në Itali. Prej muajit gusht 2015, Cana luan me “kanarinat” e FC Nantës. Ai ka luajtur mbi 200 ndeshje në Ligue 1 dhe erdhi për të përforcuar skuadrën e Mishel Der Zakarian në repartin e mbrojtjes. Një lojtar me përvojë, gjithmonë luftarak. Natyrisht një udhëheqës i ekipit. “Tani për tani jam një nga lojtarët më me shumë përvojë te Nantë. Kam pasur mundësinë për të luajtur çdo veprimtari me OM, edhe në Champions dhe Kupën UEFA. Dua të ndihmoj lojtarët e rinj, është një rol që e pranoj me kënaqësi”, – shton Cana. Që prej mbërritjes në “Loire-Atlantique”, lojtari shqiptar ka luajtur 21 ndeshje, ku në kampionat, 20 takime i ka nisur si titullar. Por, nga ana tjetër, kthimi i tij në “Velodrome” do të jetë një mundësi për të parë lojtarin gjithmonë shumë të vlerësuar nga tifozët. “E mbaj mend atmosferën. Edhe te Gallatasaraji, ose te Lacio kam parë tifozët më të nxehtë gjatë karrierës sime deri tani, por ata të Olimpik Marsejës janë të veçantë”. Në sezonin 2007-2008 Cana u bë kapiten i Olimpikut, ndërsa për tifozët ishte luftëtari i skuadrës. Përkushtimi i tij në fushë (54 kartonë të verdhë me fanellën e Marsejës, totali më i lartë i një futbollisti në historinë e klubit) dhe aktivizimi në çdo ndeshje, duke u shndërruar në një idhull për tifozët, e ka ruajtur të freskët portretin e tij në “Velodrome”. “Unë nuk isha në dijeni të kësaj statistike, që ju po më thoni për kartonët e verdhë (qesh), por sa herë zbres në fushë, jap gjithçka për ekipin tim”, – sqaron Cana. Kthimi i tij ka të ngjarë të jetë i ngarkuar emocionalisht. “Prindërit e mi jetojnë ende në Marsejë, ata kurrë nuk u larguan nga qyteti. Unë kam lidhje të forta aty. Stadiumi i ri duhet të jetë edhe më i bukur se ai që kam parë”. Kujtimi më i bukur i tij kur luante me OM-në është goli me kokë ndaj Paris SG-së: “Unë nuk shënoj shpesh, kështu që vlerësoj çdo gol që kam realizuar, por ai ndaj PSG-së me kokë ishte shumë i mrekullueshëm. Përballjet OM-PSG kanë qenë gjithmonë të zjarrta, ndaj fitorja jonë asokohe bëri që tifozeria të shpërthente. Ishte një moment fantastik”. Ndeshja e sotme nuk do të jetë e fundit për të në “Velodrome”. Më 15 qershor, në Euro 2016, Lorik Cana do të kthehet në Marsejë si kapiten i Shqipërisë, për të luajtur ndeshjen e grupit A ndaj Francës. “Stadiumi do të jetë plot e përplot. Të luaj në qytetin tim kundër Francës ishte diçka, që kurrë nuk e kisha imagjinuar. Nëse kisha për të zgjedhur një ndeshje në këtë fazë të karrierës, nuk do të kisha kërkuar asgjë më të mirë se ky ‘poster’, në këtë vend në një veprimtari të tillë”, – përfundon kapiteni kuqezi.