Sulmuesi rrëfen: Kisha shumë emocione, pasi luaj për herë të parë në Shqipëri
Altin Manallari
Nëse ai do të kishte kthyer në gol dy rastet e pastra që iu dhanë gjatë ndeshjes me Moldavinë, tani ndoshta do të ishim duke folur për heroin e fitores së mundshme. Por Edgar Çanin duket se nuk e ka ndihmuar aspak fati të mërkurën në stadiumin “Qemal Stafa”, duke u shndërruar për shumë kritikë në një nga protagonistët negativë të atij barazimi pa shkëlqim, që kombëtarja mori në miqësoren ndaj modestëve moldavë. Ato dy raste të arta mund të kishin bërë ndryshimin e madh të kësaj miqësoreje, të cilën pas barazimit 0-0 të shumtë ishin ata që e quajtën një dështim. Një hap mbrapa në krahasim me atë që skuadra kuqezi demonstroi në dy sfidat miqësore të fituara më parë ndaj Katarit dhe Iranit. Pas kritikave në mbrojtje të ish-sulmuesit shqiptar të Polonias së Varshavës kanë dalë vetë trajneri italian i Kombëtares, Xhani de Biazi. Tekniku i kuqezinjve ka provuar të gjitha alternimet e mundshme në këtë repart, por sërish goli ka munguar. Në pjesën e parë si sulmues i parë ishte Çani dhe Salihi pak më i tërhequr, ndoshta në rolin e një gjysmë-mesfushori. Në të dytën për pak minuta u provuan Salihi dhe Bogdani së bashku, e më pas ky i fundit i vetëm. “Më duhet ta përsëri që është një moment jo i mirë fizik për skuadrën në tërësi, nënvizon De Biazi. Të tre sulmuesit e provuar në këtë ndeshje, sipas varianteve të ndryshme i zbatuan mirë detyrat, por në të ardhmen ky sulm do të arrijë të shpërthejë në gola”. Por megjithatë, më pas edhe ai e vë theksin te rastet e humbura, ku ato të Çanit ishin më të pastrat. “E nisëm mirë lojën. Po të kishim shënuar do kishte qenë më e lehtë. Normalisht, në të tilla takime mjaftojnë pak raste që duhen shfrytëzuar. Nëse do kishim bërë gol, atëherë do flisja ndryshe”, sqaroi tekniku italian. Por vetë sulmuesi shtatlartë i Shqipërisë tenton të justifikohet disi, ku thotë se ishte çështje fati, edhe pse e ndien peshën e rëndë që mund të kishin ato raste, nëse do të ishin kthyer në gola. “Mendoj se ishte çështje fati që unë nuk munda të shënoja në këtë ndeshje, rrëfen Çani. Në momentin e parë topi ishte më larg sesa prisja në kohën kur unë doja të gjuaja, ndërsa në rastin e dytë topi ishte i lartë dhe nuk arrita ta ulja sa duhet drejt portës. Gjithsesi, jam i bindur që do t’i shlyej në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh sulmuesi kuqezi, i cili nuk e ka fshehur aspak se jo pak peshë në këto veprime të tij kishin edhe emocionet. Deri tani ai numëron tri ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, ku ka arritur të shënojë edhe një gol, por kjo ndaj Moldavisë ishte e para përpara publikut shqiptar. “Luaja për herë të parë në Shqipëri, përpara tifozëve tanë, dhe kisha shumë emocione. Megjithatë atmosfera e krijuar në stadium ishte mjaft e mirë. Edhe pse kundërshtari ishte modest dhe Shqipëria e dominoi ndeshjen, mungesa e fitores së kuqezinjve sipas Çanit “ishte mungesë e fatit, pasi e meritonim ta fitonim këtë takim”. Te paraqitja e Çanit ndoshta ndikoi edhe forma jo e mirë e tij, pasi që prej largimit nga Polonia Varshava vazhdon të jetë pa skuadër. E tashmë ka përpara një të ardhme të paqartë: “Kam disa oferta, por për momentin nuk kam vendosur. Vendimin do ta marr shumë shpejt”, saktësoi Çani në fund.
Alibia – Edgar Çani gjen justifikimin: “Në rastin e parë topi ishte larg në momentin që gjuajta, ndërsa në rastin e dytë topi ishte i lartë dhe nuk arrita ta ulja sa duhet”
Premtimi – Gjithsesi, sulmuesi i ri Kombëtares kuqezi e ndien peshën e dy rasteve të humbura dhe premton: Jam i bindur që gabimet do t’i shlyej në ndeshjet e ardhshme”
E ardhmja – Sulmuesi shqiptar është larguar nga Polonia e Varshavës në fund të sezonit dhe është ende pa skuadër për të ardhmen: Kam oferta, por do të vendos së shpejti”