Kapiteni flet për rinovimin e kontratës: Dua ta mbyll karrierën me Barcelonën
El Clasico i së dielës, Barcelona-Real Madrid, do të jetë prova e vërtetë e katalanasve në këtë fillim sezoni dhe që do të vendosë shumë edhe për ecurinë e La Ligës, pasi në rast të thellimit të diferencës në 11 pikë, do të jetë thuajse e pamundur për Los Blankos që t’i arrijnë rivalët e përjetshëm. Gjithsesi, për kapitenin e Barçës, Çavi Hernandez, çfarëdo që të ndodhë në El Clasico, kampionati është shumë i gjatë për të folur për titullin.
“Jemi vetëm në fillim të sezonit, kështu që çfarëdo rezultati të prodhojë kjo sfidë direkte nuk do të thotë asgjë. Sigurisht që përballë rivalit të përjetshëm fitorja të jep shumë besim, sepse edhe diferenca do të thellohej në 11 pikë. Është një mundësi e artë që duhet ta shfrytëzojmë.”
Dëmtimi i rëndë i Pyjol, por edhe situata e Pikesë, që vështirë se do të jetë në gjendje për të luajtur, sipas Çavit nuk e kanë demoralizuar Barcelonën, që do të bëjë gjithçka për të arritur fitoren e shtatë radhazi në La Liga.
“Nuk jemi euforikë. Nëse fitojmë, do të hedhim një hap të rëndësishëm, por sigurisht që asgjë nuk do të përfundojë me këtë El Clasico. Pavarësisht dëmtimit të Pyjol, ne po kalojmë një moment shumë pozitiv. Do të mundohemi që t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët e Barcelonës. Sa i përket Pikesë, ai po bën të pamundurën që të jetë në fushë, por unë i shoh mundësitë 50 me 50, sepse për 10 ditë nuk është stërvitur fare me topin, vetëm ka bërë ushtrime në palestër.
Çavi komentoi edhe situatën politike në Katalunjë, por duke u munduar që të mos e ngatërrojë me futbollin.
“Ne jemi të përkushtuar në futboll dhe nuk duhet ta politizojmë El Clasico-n. Ne duam thjesht të fitojmë, që të gëzojmë njerëzit, edhe pse do të më pëlqente që tifozët të festonin me flamurin katalanas. Në fund të fundit, Barcelona përfaqëson Katalunjën.
Në fund, kapiteni i Barçës analizoi lojën që duhet të zhvillojë skuadra e tij ndaj Los Blankos.
“Ne duhet ta qarkullojmë sa më shumë topin dhe të mos e ndryshojmë filozofinë tonë të lojës, për të shmangur sulmet e Realit. Do të kërkojmë fitoren, për të bërë një goditje të madhe. Problemet e Realit në dhomat e zhveshjes? Nuk na interesojnë.”
Çavi sqaroi gjithashtu se menaxheri i tij po bisedon me klubin katalanas për rinovimin e kontratës, pasi dëshiron që ta mbyllë karrierën me Barcelonën.