Një barazim në debrin e Londrës. Një barazim që i kishte të gjitha, lojë të fortë, raste të shumta për të shënuar, kartonë të verdhë dhe një të kuq, gola të anuluar, shtylla, tifozë të futur në fushë, atmosferë të mrekullueshme…por jo gol.
Një barazim që do të kënaqë të dyja skuadrat pasi ashtu siç shkoi ndeshja, një humbje do të ishte e rëndë për secilën. Arsenal më në fund tregon se di të mbrojë, ndërsa Çelsi nuk ka forcën sulmuese të sezonit të kaluar. Do të jetë një kampionat i vështirë për të dyja skuadrat londineze.
Një atmosferë e shkëlqyer për të luajtur futboll në “Stamford Bridge”, koha është ideale dhe tifozët janë të karikuar. Skuadrat luajnë fortë dhe me një ritëm të lartë, gjithashtu edhe rastet për gol nuk mungojnë. I pari është për Danny Welbeck goditja me kokë e të cilit shkon jashtë për pak centimetra.
Pas tij është Lacazzette ai që shpërdoron një mundësi të artë teksa me portën e boshatisur nuk e kalibron topin siç duhet pas goditjes së shtyllës nga ana e Ramsey. Mundësitë më të mira janë të Arsenal, por edhe Çelsi rrezikon me Pedro edhe Morata
Pas pushimit ndeshja mbetet e njëjta, megjithëse skuadrat janë më të kujdesshme duke ditur që një gol do t’i kushtonte shumë. Aksionet e rrezikshme rikthehen në çerek orën e fundit të ndeshjes me golin e anuluar për pozicion jashtë loje të Shkodran Mustafit dhe mundësisë së mirë të Eden Hazard, i futur bashkë me Alexis Sanchez në aktin final të takimit.
Konte dhe Venger mendojnë të mbrohen dhe në fund luajnë të dy me të njëjtën skemë, 3-5-2. Lufta ashpërsohet në minutat e fundit, kjo pasi ka shumë lojtarë defensivë në fushë por rezultati mbetet i pandryshuar. Një ndeshje e bukur në “Stamford Bridge”, megjithëse munguan golat.
17 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)