Goli i Ba kalon anglezët në finale. Gjermanët, të pafat ndaj spanjollëve
Një mrekulli dhe një mrekulli e mbetur në gjysmë. Kështu mund të cilësohen ndeshjet e mbrëmshme të Ligës së Kampioneve ku Çelsi ka mundur 2-0 PSG dhe është kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut, ndërsa Borusia Dortmund ka mposhtur me të njëjtin rezultat Real Madridin, por nuk ka arritur të bëhet pjesë e 4 ekipeve më të mira në Europë.
Në Londër, për të përmbysur disfatën 3-1 në ndeshjen e parë, Murinjo aktivizoi si titullar Eto’o, por iu desh të ndryshonte planet e tij pas pak minutash, pas dëmtimit të Hazard. Trajneri portugez zgjodhi të hidhte në fushë gjermanin Shyrle, një zgjedhje e goditur, pasi ishte pikërisht ky i fundit që pas një harkimi në zonë të Ivanoviç, u tregua i vëmendshëm dhe dërgoi topin në kuadrat, për të rihapur plotësisht ndeshjen. PSG vuajti për të dalë nga zona e vet gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën vuajti në minutat e para presingun e lartë të ekipit anglez. Këta të fundit ishin edhe të pafat, kur brenda dy minutash, fillimisht Shyrle dhe pastaj Oskar, goditën traversën me tentativat e tyre. Blank e kuptoi që kjo ndeshje po i ikte nga duart dhe për këtë arsye, largoi Verratin, për të aktivizuar Kabaje, që të rimerrte kontrollin e mesfushës. Lëvizja rezultoi e suksesshme, pasi PSG rifitoi më shumë hapësira, duke vënë në vështirësi të dukshme anglezët nëpërmjet gjuajtjeve të Lavecit e kundërzbritjeve të Kavanit. Uruguaiani kishte dy mundësi të arta për të gjetur rrjetën që mund t’i jepte sigurinë ekipit të tij, por në të dy rastet nuk gjeti kuadratin e portës, ndonëse në një pozicion të volitshëm. Ndërkohë, Murinjo aktivizoi Demba Ba e Torres, duke hedhur të gjithë ekipin përpara në kërkim të golit të kualifikimit. Lëvizja dha fryte, pasi ai erdhi në minutën e 87, kur Maksuell nuk arriti të largonte topin nga zona dhe Ba ndërhyri duke mposhtur Sirigu. Tentativat e dëshpëruara të PSG për të gjetur një gol nuk shërbyen për asgjë dhe Çelsi festoi këtë kualifikim që shumëkush e kishte cilësuar të pamundur.
Ndeshja e Dortmundit ka qenë po aq emocionuese, pasi vendasit as që kishin ndër mend të dorëzoheshin, ndonëse ishin mundur 3-0 në sfidën e parë përballë Real Madrid. Një penallti “bujare” e dhënë nga gjyqtari Skomina mund të kishte prishur gjithçka, por Vaidenfeler priti gjuajtjen e Di Marias, duke mbajtur në lojë ekipin e tij. Për shumë minuta me radhë, loja u zhvendos plotësisht në gjysmëfushën e Realit, pasi spanjollët gabonin edhe pasimet më të thjeshta. Një pasim i tillë i gabuar mbrapa i Pepe i dha mundësinë Rojs të shënonte golin e avantazhit në minutën e 24-t, ndërsa pa u mbyllur pjesa e parë, gjermani gjeti edhe golin e dytë. Këtë radhë ai u tregua i aftë të vidhte topin nga këmbët e Ijaramendit dhe më pas të gjendej në vendin e duhur për të shtyrë sferën në rrjetë, pasi Levandovski goditi shtyllën. As pushimi i ndeshjes nuk i shërbeu shumë madrilenëve, të cilët vuajtën ofensivën gjermane edhe në pjesën e dytë. Mkhitarian kishte të gjitha mundësitë të shënonte golin e tretë që do siguronte të paktën shtesën, por gjuajtja e tij e parë me portën e boshatisur u ndal nga shtylla, ndërsa në një tentativë tjetër, pas pak minutash, ishte Kasijas që i mohoi gëzimin e golit. Klop provoi gjithçka, duke hedhur në fushë edhe Aubamejang, por tentativat e njëpasnjëshme drejt portës së madrilenëve nuk sollën asgjë tjetër, me Realin që mbrojti këtë rezultat, që gjithsesi i siguroi kalimin në gjysmëfinale për të katërtin vit radhazi.
Çelsi-PSG 2-0
32’ Shyrle, 87’ Ba
Çelsi: Çeh, Ivanoviç, Kahill, Terri, Azpilikueta, D. Luiz, Lampard (66’ Ba), Uillian, Oskar (81’ Torres), Hazard (18’ Shyrle), Eto’o.
Tr: Zh. Murinjo
PSG: Sirigu, Zhalet, Aleks, T. Silva, Maksuell, Verrati (54’ Kabaje), T. Mota, Matuidi, L. Moura (84’ Markinjos), Kavani, Laveci (73’ Pastore).
Tr: L. Blank
KV: Uillian, Lampard, Ivanoviç, D. Luiz / Verrati, Kavani, Maksuell
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
B. Dortmund-R. Madrid 2-0
24’, 37’ Rojs
B. Dortmund: Veidenfeler, Pizhçzhek (82’ Aubamejang), Friedrih, Humels, Durm, Jojiç, Kirsh, Groskrojtz, Mkhitarian, Rojs, Levandovski.
Tr: J. Klop
R. Madrid: Kasijas, Karvahal, Pepe, S. Ramos, Koentrao, Ijaramendi (46’ Isko), Alonso, Modriç, Di Maria (73’ Kasemiro), Benzema (90’+2’ Varane), Beil.
Tr: K. Ançeloti
KV: Rojs, Aubamejang / S. Ramos, Alonso, Karvahal, Kasemiro, Benzema
Gjyqtar: Damir Skomina (Slloveni)