UEFA ndëshoi Benfica me një gjobë prej 40 mijë eurosh dhe mbylljen e pjesshme të stadiumit për sjellje raciste gjatë ndeshjes së raundit të playoffit të Ligës së Kampioneve kundër Realit të Madridit.

Ndeshja për të cilën është sanksionuar Benfica është ajo e çështjes së famshme Prestianni që u akuzua se tha frazë raciste në drejtim të Vinicius e zhvilluar në Da Luz të Lisbonës. Argjentinasi nuk mundi të zhvillojë sfidën e kthimit në Santiago Bernabeu pasi u pezullua paraprakisht nga UEFA e cila vazhdon të hetojë çështjen e Prestianni dhe ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për futbollistin.

Ky sanksion për Benfican do të duhet të bëhet efektiv në ndeshjen e radhës së Ligës së Kampioneve kur Benfica të luajë si skuadër pritëse. Por qeveria e futbollit evropian shtoi në vendimin e saj se mbyllja e stadiumit do të jetë pezull për një vit duke nisur nga data e marrjes së këtij vendimi.

Po kështu, Benfica u dënua edhe me 8000 euro të tjerë gjobë për përdorim të lazerave dhe me 25 mijë euro për hedhje të sendeve në fushën e lojës, ndërsa zv/trajneri i Benfica, Pedro Luis Ferreira Machado u dënua me 1 ndeshje pezullim për sjellje antisportive.