Kristjan Asllani vijon të mbetet në qendër të merkatos, teksa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka refuzuar deri tani pesë oferta konkrete për vazhdimin e karrierës, raportojnë mediat italiane. Edhe pse pritet të largohet nga Torino, Asllani nuk bën pjesë as në planet e Interit për sezonin e ardhshëm, çka e bën të domosdoshëm gjetjen e një destinacioni të ri.

Sipas “La Stampa”, vendimi për të mos pranuar propozimet e deritanishme ka qenë personal, pasi lojtari nuk është bindur nga projektet sportive të klubeve të interesuara. Në këtë kuadër, ai ka refuzuar oferta nga Girona në La Liga, Paris FC në Ligue 1, si dhe Sassuolo, Parma dhe së fundmi Cagliari në Serie A.

I njëjti burim bën të ditur se tashmë vëmendja e Asllanit është përqendruar te një ofertë e re që konsiderohet më joshëse, ajo e Genoas. Trajneri Daniele De Rossi kërkon një mesfushor me profilin e tij për të përforcuar repartin e mesfushës. Ende nuk ka negociata zyrtare mes palëve, por Genoa shihet aktualisht si alternativa më e mundshme për të ardhmen e lojtarit, nëse arrihet një marrëveshje.