Sokol Cikalleshi po e mbyll si protagonist kryesor sezonin në radhët e Akhisarit në kampionatin turk. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi një nga tre golat në fitoren e pastër 3-0 me Alanyasporin, që e ngjit Akhisarin në vendin e shtatë kuotën e 45 pikëve.


Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e një goli të vendasve, i shënuar nga Lopes në të 11-tën, ndërsa në pjesën e dytë, pikërisht në të 69-ën, 26-vjecari tregoi instiktin e golashënuesit për shifrat 2-0.


Vendasit nuk u ndalën me kaq sepse Harmaci 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt vulsoi rezultatin 3-0.


Për futbollistin kavajas ky ishte goli i gjashtë në këtë fazë të dytë me Akhisarin, skuadër ku është huazuar gjatë merkatos së janarit nga Bashakshehiri.


Forma e shkëlqyer e Cikalleshit në këtë fund sezonit është një lajm i mirë për kombëtaren para sfidës me Izraelin, që në rast se fitohet nga kuqezinjtë, i mban në lojë për vendin e tretë në grup.



23 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)