Neymar është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo vetëm për paraqitjen e tij në fushë. Sulmuesi brazilian u përfshi në një incident pas përfundimit të ndeshjes mes Santosit dhe Remos, duke provokuar hapur ekipin kundërshtar pas sigurimit të kualifikimit në çerekfinalet e Kupës së Brazilit.

Santos arriti të kalojë më tej falë fitores 1-0 në ndeshjen e kthimit, pas barazimit pa gola në takimin e parë. Neymar ishte protagonist edhe në aspektin sportiv, pasi dha asistin për golin vendimtar që vulosi kualifikimin e skuadrës së tij.

Megjithatë, pas vërshëllimës së fundit, vëmendja u zhvendos nga fusha te korridoret e stadiumit olimpik Pará, në Belém. Sipas mediave braziliane, 34-vjeçari festoi me shumë entuziazëm pranë zonës së përzier, ku ndodheshin lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit e Remos.

Në kulmin e festës, Neymar iu drejtua delegacionit kundërshtar me thirrjet: “Të eliminuar! Të eliminuar!”, një veprim që ndezi menjëherë tensionet mes palëve.

Provokimi i yllit brazilian u pasua me reagime të ashpra nga lojtarët dhe stafi i Remos, të cilët iu përgjigjën me fyerje dhe gjeste fyese. Situata u tensionua për disa çaste, ndërsa Neymar u largua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes së Santosit për t’i shmangur përplasjes.

Ky episod i shtohet listës së polemikave që kanë shoqëruar Neymarin gjatë karrierës së tij, duke bërë që ai të jetë shpesh në qendër të diskutimeve jo vetëm për talentin e tij në fushë, por edhe për sjelljen jashtë saj.