Shpartallimi – Përballë një kundërshtari të organizuar dhe të etur për të shënuar sa më shumë, “djemtë e detit” janë treguar thuajse amatorë në këtë ballafaqim europian


Precedenti – Hera e fundit që Teuta kishte humbur me gjashtë gola të pësuar në transfertë, daton në sezonin 2007-2008 të Kupës UEFA, kur u mund 6-2 nga kroatët e Slaven Belupos


Flamurtari – Skuadra e Flamurtarit nuk mundi ta bënte përmbysjen e madhe, pasi u mund 2-0 në shtëpinë e Honvedit dhe u eliminua nga Europa League pa shënuar të paktën një gol


Dështimi – Plot 9 gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar në portën e kundërshtarit, tregojnë qartë pamundësinë e skuadrës së drejtuar nga Hasan Lika për të lënë të paktën një shenjë pozitive në këtë edicion të Europa League


Dyshime mbi humbjen e turpshme 6-1 të durrsakëve. Vlonjatët munden 2-0


Altin Manallari



Aventura e Teutës në Europa League është mbyllur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, pasi është shpartalluar me rezultatin e thellë 6-1 në ndeshjen e kthimit në transfertë ndaj Metalurg Rustavit në stadiumin “Mikheil Meskhi” të Tbilisit, Gjeorgji. Pas humbjes 3-0 në Durrës një javë më parë, askush nuk priste ndonjë mrekulli (kualifikimi surprizë) nga djemtë e Hasan Likës, por të gjithë shpresonin të paktën te një paraqitje dinjitoze. Pas 90 minutave të kthimit, kjo ka qenë e pamundur. Teuta është shkatërruar me shifrat e thella 6-1 në Gjeorgji nga skuadra vendase. Skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ka qenë e pafuqishme për të marrë një rezultat pozitiv, ose të paktën të shmangte një humbje kaq të rëndë. Për Metalurg Rustavin gjithçka ka qenë shumë e thjeshtë, madje që prej pushimit ndërmjet pjesëve, nënkampionët e Gjeorgjisë kryesonin bindshëm 3-0, pas dygolëshit të Tekturmanidze në minutat 14 e 19 dhe rrjetës së Tatanashvilit në të 34-tën. Në fraksionin e dytë të lojës, vendasit shënuan edhe tre gola në portën e mbrojtur nga Rizvani, ndërsa rrjeta e Deliallisit në minutën e 65-të nuk shërbeu as si gol nderi, por ishte thjesht për statistikë. Në këtë mënyrë, Teuta i jep lamtumirë Ligës së Europës pas humbjes me rezultatin e përgjithshëm 9-1. Plot 9 gola të pësuar dhe vetëm 1 i shënuar në portën e kundërshtarit, tregojnë qartë “shenjën” që nuk arriti ta lërë dot, në aspektin pozitiv, skuadra e Hasan Likës në këtë kompeticion. Hera e fundit që Teuta kishte humbur me gjashtë gola të pësuar në transfertë, daton në sezonin 2007-2008 të Kupës UEFA, kur u mund 6-2 nga kroatët e Slaven Belupos. Pas ndeshjes Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kanë filluar të qarkullojnë edhe dyshimet e para për një kombinim të mundshëm të rezultatit, i cili në gjuhën e bastexhinjve shkoi +7 gola.


Eliminohet edhe Flamurtari, i cili pasi ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi 0-1, në kthim është mundur me rezultatin 2-0 nga Budapest Honvedi. Pjesa e parë mes hungarezëve dhe kuqezinjve ka qenë shumë luftarake, me raste në të dyja portat. Vlonjatët i janë afruar disa herë portës kundërshtare, të cilën e kanë rrezikuar me anë të Sozës, Memellit, Veliut e Lenës. Madje ky i fundit ka pasur rastin më të pastër, por nuk ka mundur ta kalojë topin në rrjetë. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, vendasit kanë gjetur golin e avantazhit me Vernes. Me rifillimin e pjesës së dytë, Honved gjen edhe golin e dytë me Chami (57’). Në minutat në vazhdim përpjekjet e Flamurtarit nuk kanë munguar, por ai që ka munguar ka qenë goli. Me humbjen 2-0 Flamurtari ka qenë i detyruar të kthehet në shtëpi i eliminuar, ndërsa ndaj Anzhit të Eto’o-së do të luajë Honved më 19 korrik.