Cristiano Ronaldo nuk luajti asnjë minutë në fitoren 2-1 të Portugalisë ndaj Norvegjisë në raundin e dytë të Ligës së Kombeve, një vendim që tërhoqi vëmendjen pas përfundimit të takimit.

Trajneri Jorge Jesus sqaroi se zgjedhja për të mos aktivizuar kapitenin lidhej me mënyrën se si po zhvillohej ndeshja dhe jo me pozicionin e tij në skuadrën kombëtare.

Në një prononcim për RTP, Jesus tregoi se fillimisht kishte menduar ta hidhte Ronaldon në fushë gjatë 30 minutave të fundit. Megjithatë, paraqitja e Gonçalo Ramos bëri që ai të ndryshonte plan.

“Kisha nevojë për një lojtar me karakteristika të ndryshme. Mund ta aktivizoja në gjysmën e fundit të orës, por ndeshja nuk e lejoi. Gonçalo Ramos po luante mirë, kishte shënuar dhe një tjetër gol iu anulua. Nuk mendova se ishte momenti për ta zëvendësuar”, deklaroi trajneri.

Jesus theksoi se Ronaldo vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e alternativave të tij dhe la të hapur mundësinë që 41-vjeçari të rikthehet në formacion në sfidën e ardhshme kundër Danimarkës.

“Ishte vendimi im. Nuk mendova se ishte momenti ideal. Kjo nuk do të thotë se Cristiano nuk është një alternativë, përkundrazi. Ndoshta do të luajë kundër Danimarkës”, shtoi ai.

Ronaldo u pa i pakënaqur teksa ndiqte takimin nga stoli. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u drejtua i vetëm drejt dhomave të zhveshjes, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës përshëndeti tifozët.

Në ndeshjen e mëparshme të Portugalisë, fitoren 1-0 kundër Uellsit, Ronaldo kishte qenë titullar dhe qëndroi në fushë për 67 minuta, përpara se të zëvendësohej pikërisht nga Gonçalo Ramos.