Pa frikë ndaj Kukësit. I vetëdijshëm për forcën e skuadrës së tij, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja nuk i trembet aspak skuadrës së Ernest Gjokës. Verilindorët nuk kanë pësuar asnjë humbje në këtë kampionat dhe kryesojnë renditjen, por trajneri kryeqytetas i korçarëve ka besim te verbër te skuadra që ai drejton dhe është i bindur se Skënderbeu do ta mposhtë Kukësin.
“Dihet që Kukësi nuk ka asnjë humbje dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, ndodhet në vendin e parë me meritë. Por besoj që edhe ne i kemi të gjitha mundësitë,nëse duam të luftojmë deri në fund për objektivin titullin duhet ti fitojmë këto lloj sfidash, pasi një sukses në një përballje direkte është një bonus i madh. Duke hequr dorë nga modestia edhe Skënderbeu që unë drejtoj nuk ka marrë asnjë humbje në 2017-ën. Ne do kemi respekt për kundërshtarin por këtë respekt duhet ta kenë edhe ata për ne, sepse në 2017-tën kemi grumbulluar 2 pikë më shumë se Kukësi”.
Pas 5 fitoreve radhazi me Dajën në stol, Skënderbeu prishi ecurinë fantastike në kampionat me dy barazime rresht ndaj Teutës dhe Tiranës. Pavarësisht vetëm 2 pikëve të grumbulluara në 2 sfidat e fundit, Daja nuk është i shqetësuar. Për sa i përket formacionit trajneri paralajmëroi ndonjë ndryshim të vogël duke konfirmuar edhe praninë në 11-shen titullare të rumunit Predescu.
“Përveç mos marrjes së rezultatit, nuk ka asgjë për tu shqetësuar sepse në këto 7 takime ne kemi marrë 5 fitore dhe 2 barazime, e rëndësishme është që në këto përballje ne kemi qenë më lartë se kundërshtari. Nuk është aspak në filozofinë time të ndryshojmë stilin e lojës në varësi të kundërshtarit, sepse ne mendojmë që jemi më mirë se kundërshtari, e para duhet të imponojmë ne lojën tonë, por natyrshëm brenda strategjisë dhe kundërshtarit që ke përballë mund të ndodhë që të bësh edhe ndonjë ndryshim të vogël taktik në formacion. Predesku do të luajë që nga fillimi por pjesën tjetër të formacionit nuk mund ta zbuloj që sot sepse mund t’i vijë në ndihmë edhe kundërshtarit”.
Pikëpyetja e madhe e Skënderbeut në ndeshjen ndaj Kukësit është do të luajë apo jo Hamdi Salihi.
“Salihi është stërvitur, por është stërvitur në mënyrë individuale për shkak të një dëmtimi që ka pasur. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, vjen nga një ndeshje shumë e mirë ndaj Tiranës në të cilën shënoi dy gola. Ajo që mund të them është se nëse në orët në vazhdim do të ketë përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore, Salihi patjetër që mund ta nisë nga fillimi”.
Skënderbeu-Kukësi është një sfidë direkte për titullin, por sipas Ilir Dajës ky takim nuk do të vendosë fatet e kampionatit, pasi ka ende edhe shumë ndeshje për tu luajtur.
“Përballjet me rivalët direktë kanë brenda edhe luftën për titull. Por mendoj se ndeshja ndaj Kukësit nuk do të vendosë gjithçka sepse mbeten edhe shumë pikë në lojë.
16 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)