Mirlind Daku është shumë pranë transferimit te Spartaku i Moskës, pasi klubi rus ka arritur marrëveshje si me sulmuesin e Kombëtares shqiptare, ashtu edhe me Rubin Kazanin.

Sipas mediave në Rusi, Spartaku do të paguajë 11 milionë euro për kartonin e Dakut, një shumë që përputhet me kërkesën e Rubin Kazanit. Në monedhën vendase, transferimi kap vlerën e rreth 1 miliard rublave.

Klubi nga Moska u detyrua të plotësonte kërkesat financiare të Rubin Kazanit, pasi Daku është nën kontratë me ekipin deri në vitin 2029, duke i dhënë klubit negociues një pozicion të favorshëm.

Mediat ruse raportojnë gjithashtu se 27-vjeçari do të përfitojë një pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon. Me këtë kontratë, ai pritet të bëhet futbollisti i tretë më i paguar në Premier Ligën ruse, pas mesfushorit të Spartakut, Zhedson Fernandes, dhe sulmuesit të Krasnodarit, Jhon Córdoba.

Marrëveshja mes palëve parashikon një kontratë trevjeçare deri në vitin 2029, me opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër.

Daku aktivizohet në kampionatin rus prej dy sezonesh dhe me fanellën e Rubin Kazanit ka zhvilluar 92 ndeshje, duke shënuar 37 gola dhe duke dhënë 13 asistime.