Kombëtarja shqiptare u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj në Kamipionatit Europian.
Trajneri brazilian Sylvinho përsëriti historinë e italianit Dianni De Biasi, 7 vite pasi ky i fundit u largua. Të dyja këto momente janë më të lartat që Shqipëria e futbollit ka arritur duke na bërë të gjithëve krenarë.
Si Sylvinho ashtu edhe De Biasi e kanë shkruar me “gërma të arta” emrin e tyre në historinë e futbollit shqiptar, por nga ana tjetër, për ekipin e Sylvinhos pritshmëritë janë më të lartë. Me numrat që skuadra e Sylvinho ka lënë pas në këto kualifikuese, këtë herë nuk do na kënaqte vetëm një gol në Gjermani.
Në EURO 2016, Shqipëria u kualifikua pasi u rendit e dyta në grupin I, i përbërë nga Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Kuqezinjtë e De Biasit regjistruan 4 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje.
Një prej fitoreve arriti kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos, e fituar në Lisbonë me një gol të Bekim Balajt. Ndërkohë, Shqipëria mori dhe 3 pikë në tavolinë, pas trazirave të shkaktuara në Beograd, të cilat e bënë të pamundur të luhej futboll.
Nga ana tjetër, në kualifikueset e EURO 2024, Shqipëria është “kampione” e grupit E, i përbërë nga Republika Çeke, Polonia, Moldavia dhe Ishujt Faroe. Këtë vit, Shqipëria ka korrur 4 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje.
Teksa në vitin 2016 Shqipëria ishte në vazon e katër të shorteut për fazën e grupeve dhe më pas në grupin A, me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, skuadra me nivel tepër më të lartë se ne, këtë herë kemi mundësi të shpresojmë për një grup më të lehtë.
Shqipëria është në vazon e dytë dhe kështu rriten shanset për të patur një grup teorikisht më të lehtë. Për të llogaritur se sa mundësi do kemi për ta kaluar fazën e grupeve do duhet të presim hedhjen e shortit, por deri atëherë mund të ëndërrojmë, sepse sërish numrat na e lejojnë.
Kombëtarja këtë vit ka një ekip më të mirë, me lojtarë që kanë shënuar më shumë dhe që kanë mbrojtur më mirë.
Në kualifikueset e Euro 2016, Shqipëria shënonte 10 gola e pësonte 5. Këtë herë, Shqipëria ka golaverazhin më të mirë që ka pasur ndonjëherë në kualifikuese, +8, teksa në 2016 ishte +6.
Kombëtarja shqiptare ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar vetëm 4, teksa është shënuar gol në çdo ndeshje, përveç humbjes në Poloni në sfidën e parë. Por një tjetër statisitkë që tregon cilësinë e mbrojtjes sonë, është dhe fakti që Shqipëria, së bashku me Francën, janë të vetmet skuadra në këto kualifikuese që nuk kanë pësuar asnjë gol në ndeshjet e luajtura në shtëpi.
Ndërsa vlen të theksohet se të gjitha fitoret janë me 2 gola e sipër, tregues se nuk kanë qenë rastësi sukseset nën drejtimin e trajnerit Sylvinho. Në 7 ndeshje në grup, për kuqezinjtë kanë shënuar 7 futbollistë të ndryshëm, Asani dhe Bajrami kanë realizuar nga 3 gola, Seferi ka shënuar 2, ndërsa nga 1 kanë Asllani, Muçi, Daku dhe Çikalleshi. Nga ana tjetër, janë akorduar vetëm 2 penallti në favor të kuqezinjve në këto eliminatore, një e humbur dhe një e shënuar, ku në të dyja rastet protagonist ka qenë Çikalleshi.
Me këto statistika, shkojmë drejt Berlinit me shpresën për një paraqitje më të mirë se ajo e vitit 2016, e po ashtu që sukseset në futbollin shqiptar vetëm të shtohen.