Kombëtarja


Trajneri dhe ndihmësi i tij bëjnë të vetin sloganin e Kombëtares drejt Brazil 2014: “#Unë Besoj”


Une besoj te Shqiperia ne BoterorNdërsa vazhdon stërvitjen me një pjesë të vogël të futbollistëve të Kombëtares në pritje të plotësimit të grupit më 29 maj, trajneri italian i Shqipërisë, Xhani de Biazi, së bashku me ndihmësin dhe njëkohësisht bashkëkombësin e tij, Paolo Tramexani, i janë bashkuar sloganit të përfaqësueses drejt Botërorit, pikërisht në prag të ndeshjes më të rëndësishme në grup, asaj të 7 qershorit kundër Norvegjisë në Tiranë. “#Unë Besoj #Botërori Brazil 2014 #7 Qershor #Shqipëri Vs Norvegji”, është slogani i zgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Tekniku i kuqezinjve e ka zgjedhur atë për ta publikuar në statusin e profilit të tij personal në “Facebook”, por duke zgjedhur në mënyrë të veçantë, atë të shkruarit në tri gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht: “Unë besoj! Io credo! I believe!”. Ndërsa ndihmësi i tij, Paolo Tramexani, këtë slogan e ka mishëruar në prononcimin e tij të djeshëm për mediat italiane, të cilat kanë qenë të interesuara të dinë mendimin e tij mbi situatën që po kalon Kombëtarja shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2014 dhe ambiciet e saj për të shkuar në Rio de Zhaneiro verën e ardhshme. “Ëndrra që ne kemi, është të arrijmë në fazën finale të Botërorit 2014, – rrëfen ndihmësi i De Biazit për mediat italiane. Po bëjmë një paraqitje të mirë në grupin eliminator, më të mirë se sa mund të mendonim, por kemi edhe pesë ndeshje të tjera për të luajtur, të cilat do të jenë beteja të vërteta. Unë besoj se Shqipëria, e cila është një skuadër shumë e re, ndoshta në 2-vjeçarin e ardhshëm ose në 4-vjeçarin e ardhshëm do të mundet vërtet që të arrijë një kualifikim historik, në Botëror, në Europian ose në Botërorin pasardhës. Do ta provojmë”, përfundon deklaratën e tij ndihmëstrajneri Paolo Tramexani.