Trajnerët


Tekniku kuqezi ka filluar të mendojë që tani për Portugalinë. Olsen ia hedh fajin “Ballistit”



Barazimi në Danimarkë ka qenë fitorja e radhës e trajnerit Xhani De Biazi, i cili ka arritur të ndërtojë një skuadër të pathyeshme, si në fushën e saj, ashtu edhe në transfertë. Tekniku është shfaqur shumë i lumtur pas ndeshjes, edhe pse ka pranuar se takimi ishte shumë i vuajtur.


“Ishte një ndeshje që e dinim se do të ishte e vuajtur. Ata kishin futbollistë fizikisht më të fortë, të aftë në lojën në ajër. Kanë lojtarë të fortë dhe shfrytëzojnë zakonisht lojën në ajër. Por ne bëmë një ndeshje të mirë, atë që duhej të bënim, rrezikuam shumë pak, pasi ata luajtën siç e prisnim, duke na rrezikuar vetëm me goditjen standarde”, tha trajneri. “Jam shumë i lumtur për rezultatin, edhe pse deri në fund provuam të ndryshonim diçka, duke u munduar të ndryshonim rezultatin, duke i zënë në kundërsulm. Për këtë arsye, aktivizova Sadikun e pastaj Roshin. Në aksionin e fundit, nëse do ta kishim vazhduar pak më mirë, mund ta mbyllnim diskutimin me Danimarkën. Unë nuk do të ndryshoja asnjë zgjedhje që kam bërë, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Ndoshta duhej të ishim më mirë në pjesën e parë, pasi kishim superioritet numerik në mesfushë, kur ata kishin dy sulmues të mirëfilltë. Nuk kishim dominimin që kërkonim. Por besoj se ndikoi tensioni i rëndësisë së ndeshjes te gabimet që bëmë”.


De Biazi ka filluar që të mendojë menjëherë për Portugalinë, të cilën tashmë e ka kundërshtare për vendin e parë në grup. “Me Portugalinë, që kur mbërriti Santos, gjërat kanë ndryshuar shumë. Është një skuadër që ka fituar në vazhdimësi që pas ndeshjes me ne, ka cilësi të rëndësishme, lojtarë që luajnë në klube të mëdha. Ajo është pengesa më e madhe. Por do të mundohemi të bëjmë rezultat pozitiv dhe të shpresojmë që Danimarka të mos fitojë në Armeni. Nuk është sportive, por ne duhet të shohim punën tonë”, vijoi ai.


Nga ana tjetër, homologu i tij danez, Morten Olsen, ka kërkuar me ngulm një fajtor për këtë rezultat, duke munduar që të largojë vëmendjen nga barazimi. “Falë trysnisë së kundërshtarit ne ishim shumë nervozë në lojë në çdo pjesë të fushës. Ata ishin agresivë, të aftë në atë që bënin, por kështu nuk mund të jetë për 90 minuta dhe për këtë arsye krijuam më shumë raste në pjesën e dytë. Por sidoqoftë, si në humbje apo fitore, mua më erdhi neveri nga ajo që pashë tani kur po largohesha nga dhomat e zhveshjeve. Pashë njeriun e dronit që po ftohej nga ekipi shqiptar dhe se ai ishte në hotel me ta. Kjo nuk ka asnjë lidhje me lojën e ndershme, ndaj unë jam kundër gjërave të tilla. Nuk e kuptoj vendimin e dhënë pas skandalit të dronit dhe mënyrën sesi UEFA injoron gjëra të tilla”, tha Olsen, duke iu referuar pranisë në “Pelia Parken” të Ismail Morinës.


 


Deklaratat


Migjen Basha – “Komplimentet i meriton e gjithë skuadra. Jemi në rrugën që duhet dhe kjo është një pikë shumë pozitive për ne. Kemi treguar që kjo kombëtare ka shumë aftësi dhe jemi përmirësuar shumë, pavarësisht emrave që zbresin në fushë. Por rruga për në Francë është e gjatë, ka edhe tre ndeshje, ka shumë pikë në lojë dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë. Duhet të shohim rezultatin e së hënës nga i cili varet rrugëtimi drejt Europianit. Rënia në pjesën e dytë? Të mos harrojmë që kemi pasur një kundërshtar shumë të mirë përballë. Loja kundër Francës ishte shumë më e mirë, por kishim më shumë trysni, pasi ishte dëshira për të marrë pikë, për të vazhduar rrugën tonë. Konkurrenca në ekip? Ndihmon shumë dhe po na sjell në rrugën e duhur”.


Etrit Berisha – “Barazimi nuk ishte vetëm meritë e imja, ishte e gjithë ekipit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, duke pasur parasysh se skuadra daneze ishte e përgatitur fizikisht, ishin më të gjatë se ne dhe na krijuan rreziqe në goditjet standarde. Patëm vështirësi, por në fund llogaritet rezultati, për të cilin jam i kënaqur. Të gjithë dhanë shumë në fushë dhe ndoshta lodhja ndikoi te lojtarët që nuk ishin mirë fizikisht. Ndaj u tërhoqëm, duke u lënë danezëve hapësira të rrezikonin më shumë. Xhimshiti dhe Ajeti kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, edhe pse për ta ishte e vështirë si ndeshja e parë zyrtare”.


Berat Xhimshiti – “Ishte një ndeshje e veçantë, një emocion i jashtëzakonshëm, sepse debutova në një ndeshje shumë të rëndësishme. Jam shumë i kënaqur me rezultatin, besoj se jemi në rrugën e duhur. Personalisht, jam i ri dhe besoj se do të përmirësohem, por në këtë takim kisha edhe një ngarkesë të madhe psikologjike. A mendojmë për Francën? Ende jo, kemi shumë punë për të bërë, duke nisur që nga ndeshja e së hënës kundër Portugalisë. Do të jetë një betejë”.