Të rejat e 11-shes: Trajneri ia ka besuar portën veteranit të Skënderbeut, Orges Shehi, në mbrojtje do të debutojë më në fund Mërgim Mavraj, Sabien Lilaj ka siguruar një vend në mesfushë, ndërsa dyshja e sulmit kuqezi sot do të formohet nga shtatlartët Erjon Bogdani dhe Edgar Çani, të cilët do të luajnë për herë të parë së bashku
Me shumë gjasa, Kombëtarja do të luajë sonte në këtë miqësore me shiritin e zi në krah, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Himarë
Altin Manallari
Trajneri krijon një 11-she surprizash me dyshen Bogdani-Çani në sulm
Shqipëria e Xhani De Biazit sot do të ketë shansin të provojë veten në kërkim të një fitoreje në miqësoren ndaj Katarit. Ky do të jetë objektivi i skuadrës kuqezi për ndeshjen që do të zhvillohet sonte, në orën 19:00, me orën e Shqipërisë, në Madrid, në stadiumin e Rajo Valekanos, “Campo de Fútbol de Vallecas” (që ka një kapacitet prej rreth 15.000 tifozësh). Futbollistët, nën urdhrat e De Biazit, kanë zhvilluar mbrëmë edhe stërvitjen e fundit, në stadiumin ku do të luhet sot miqësorja. Sikurse është bërë e njohur, në përgjithësi gjendja e futbollistëve në dispozicion të teknikut italian është e mirë, përjashto ndonjë problem të vogël fizik të dy-tre lojtarëve, por që duket se nuk do të ndikojë në paraqitjen e Kombëtares në këtë sfidë. Gjatë periudhës së grumbullimit 4-ditor, ndoshta për shkak të disa dëmtimeve dhe mungesave të emrave të njohur si Salihi e Berisha, përfaqësuesja ngjan me një kantier në ndërtim. Në stërvitjet e fundit, trajneri De Biazi ka tentuar të njohë formën e çdo lojtari dhe tashmë, ai e ka në kokë formacionin që do të zbresë në fushë kundër Katarit. Mungesa e Ujkanit të dëmtuar dhe pamundësia e Etrit Berishës për t’u vënë në dispozicion të përfaqësueses që në ndeshjen e parë miqësore, duket se kanë krijuar të gjitha kushtet që kuadrati i portës kuqezi të mbrohet nga portieri i kampionëve të Shqipërisë. E reja e pritshme është aktivizimi i mbrojtësit të Greuther Furth, Mërgim Mavraj, në repartin e mbrojtjes. Futbollisti me origjinë nga Kosova, më parë ka pasur polemika në përfaqësimin e Shqipërisë, por tashmë gjithçka është lënë prapa krahëve dhe shihet nga tekniku italian si një përforcim i mirë për repartin difensiv. Sot në fushë pritet të zbresë edhe Sabien Lilaj, mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës kroate Lokomotiva Zagreb. Shënimin e golave për të arritur te fitorja e dëshiruar, trajneri De Biazi ia ka besuar dyshes së sulmuesve, Erjon Bogdani dhe Edgar Çani. Me interes do të jetë bashkëpunimi mes dy shtatlartëve, të cilët do të luajnë për herë të parë së bashku. Sipas informacioneve të fundit, në stadium nuk pritet të ketë shumë tifozë, edhe për shkak se shqiptarët në Gadishullin Iberik janë të paktë. Por do të jenë të pranishëm një numër i madh menaxherësh dhe drejtues klubesh, të cilët janë akredituar, me synimin për të evidentuar ndonjë talent të spikatur. Miqësorja interesante me Katarin është ballafaqimi i parë në historinë e të dyja palëve, i cili i ka rritur së tepërmi interesat në futboll, për shkak se “Botërori 2022” do të zhvillohet në këtë vend të vogël, por shumë të njohur për pasuritë e tij. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka pohuar se kjo ndeshje do t’i shërbejnë atij dhe skuadrës për të pasur një ide më të qartë rreth mënyrës se si do të luajë përfaqësuesja jonë në eliminatoret e Botërorit 2014. Është mësuar se Kombëtarja do të luajë sonte në këtë miqësore, me shiritin e zi në krah, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.
Kundërshtari
Katari: Jemi në formë, për ne është një test i mirë
Katari do të jetë kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e mbrëmjes së sotme në Madrid. Ndoshta De Biazi do të kishte kërkuar një kundërshtar me emër më të madh për të provuar funksionimin e ideve të tij, por megjithatë Katari nuk është një skuadër për t’u nënvlerësuar. Shteti arabik, i cili nuk shquhet shumë në futboll, dhe që ka filluar të investojë fuqishëm në këto vitet e fundit, për momentin është në të njëjtin pozicion me Shqipërinë në renditjen e FIFA-s për muajin maj (84). Sipas informacioneve pranë rivalit tonë të sotëm, trajneri Paulo Autori ka deklaruar në konferencën për shtyp, se “Katari nuk ka probleme. Unë do të kem në dispozicion lojtarët më të mirë të mundshëm. Kemi zgjedhur të luajmë me Shqipërinë, pasi edhe kundërshtari ynë i ardhshëm ka të njëjtat karakteristika”, përfundoi tekniku 55-vjeçar brazilian, i cili drejton këtë skuadër që nga 20 shkurti i 2012-s.
