Kombëtarja grumbullohet për miqësoren me Moldavinë. Debutojnë Dushku, Vucaj e Arapi
Kuqezinjtë rikthehen sërish në tapetin e blertë përpara syve të miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata këtë herë do të luajnë një ndeshje miqësore kundër Moldavisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri italian, Xhani De Biazi, paraqiten përpara shqiptarëve pas dy fitoreve radhazi në sfidat miqësore. Fitorja kundër Katarit dhe Iranit i sjell kuqezinjtë në Shqipëri me moral më të lartë dhe për më tepër më kërkues kundër Moldavisë, pasi më 7 shtator luhet takimi i parë zyrtar për eliminatoret e Brazil 2014 kundër Qipros, takim ky që do të luhet në “shtëpi”. Trajneri i kombëtares kuqezi, mesditën e djeshme ka bërë të ditur emrat e 21 futbollistëve që do të luajnë në miqësoren kundër Moldavisë më 15 gusht në “Qemal Stafa”. Krahas titullarëve me shumë eksperiencë tekniku italian ka lënë jashtë mesfushorin Gjergji Muzaka, i cili është dhe blerja më e shtrenjtë në historinë e kampionatit shqiptar. Gjithashtu jashtë 21 lojtarëve më të denjë që mund të veshin fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, De Biazi, ka lënë edhe qendërmbrojtësin Franc Veliu, i cili është “graduar” kapiten në radhët e ekipit të Flamurtarit. Ndërsa në krahun tjetër De Biazi ka thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar mesfushorin e Laçit, Erjon Vucaj dhe qendërmbrojtësin e Tiranës, Erjon Dushku. Edhe mbrojtësi Renato Arapi, i cili ka dy sezone që paraqitet në gjendje shumë të mirë me Skënderbeun do të veshë për herë të parë në një ndeshje zyrtare fanellën e Kombëtares. Të tre këta emra të rinj kanë qenë të thirrur më parë në “zborin” e zhvilluar me lojtarët e Superligës në Janar. Por, në këtë test miqësor skuadrës do t’i mungojnë dy nga shtyllat e mbrojtjes, Kristi Vangjeli dhe Debatik Curri. Futbollistët e thirrur nga tekniku italian pritet që të marrin rolet që nga minuta e parë e takimit kundër moldavëve dhe pse jo të vazhdojnë dhe në ndeshjet eliminatore të jenë pjesë e kombëtares.
Grumbullimi në Tiranë
Ditën e sotme skuadra do të grumbullohet në Tiranë për shkak se ambientet stërvitore në Durrës nuk mund të shfrytëzohen për shkak të mbipopullimit që ka qyteti, sepse është kulmi i sezonit veror. Ndërsa stërvitja do të vijojë për tri ditë, pra në datat 12-13-14 gusht në kompleksin stërvitor të kombëtares në Kamzë.
Takimi do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ditën e mërkurë. Vetëm dje është konfirmuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit se ndeshja do të zhvillohet në mbrëmje, në orën 20:30. Më parë kishte dyshime se takimi mund të luhej ditën, për shkak të problemeve që stadiumi ka me shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.
Talentet e reja
Përveç emrave të rinj që janë thirrur këtë takim, trajneri Xhani De Biazi mund të eksperimentojë në takimin e parë zyrtar për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014 me emra të rinj. Pritet që në katërkëndëshin e portës të inkuadrohet Stivi Frashëri, i cili luan me Bylisin, gjithashtu edhe sulmuesi Bekim Balaj. Të dy futbollistët janë pjesë e ekipit kombëtar Shpresa dhe kanë qenë pjesë e “zborit” në janar. Ndërsa Balaj favorizohet më shumë, sepse tashmë luan me Spartën e Pragës, ku ka fituar dhe vendin e titullarit shumë shpejt, pasi ka vetëm 10 ditë që ka firmosur.
E.H.
Miqësorja është testi kryesor përpara ndeshjes së shtatorit me Qipron për eliminatoret e Brazil 2014
Shqipëri – Moldavi 15.08.2012
Lista zyrtare
1 Samir Ujkani – Palermo
2 Etrit Berisha – Kalmar
3 Lorik Cana – Lazio
4 Armend Dallku – Vorskla Poltava
5 Erjon Dushku – Tirana
6 Andi Lila — PAS Janina
7 Mergim Mavraj – Greuther Furth
8 Renato Arapi – Skënderbeu
9 Sabien Lilaj – Skënderbeu
10 Odise Roshi – FSV Frankfurt
11 Jahmir Hyka – Luzern
12 Emiljano Vila – PAS Janina
13 Ledjon Memushaj – Leçe
14 Ansi Agolli – Karabak Agdam
15 Hair Zeqiri -Rizespor
16 Ervin Bulku – Sepahan
17 Erjon Vucaj – Laçi
18 Elis Bakaj – Chernomorets Odesa
19 Hamdi Salihi – DC United
20 Edgar Çani – Pa ekip
21 Erjon Bodgani – Siena