Trajneri nuk e fsheh tensionin, sulmon kritikët dhe thërret tifozët


Altin Manallari


Humbja 1-2 me Islandën ka lënë pasoja të thella te kuqezinjtë, por tashmë koha nuk pret dhe Kombëtarja nuk duhet të mbytet në trishtimin e asaj humbjeje të pamerituar, pasi vetëm pak orë na ndajnë nga një tjetër ndeshje e rëndësishme, ajo ndaj Sllovenisë sonte, në orën 20:45, në “Qemal Stafa”. Kundërshtari është i një niveli më të lartë se Qipro e Islanda. Sllovenët klasifikohen të 35-ët në renditjen e FIFA-s. Ndërkohë që edhe shifrat i kemi kundër: në 5 përballjet e mëparshme, Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë. Bilanci është 0 fitore, 2 barazime, 3 humbje, golat: 1-5. Dy nga tri fitoret, kundërshtari na i ka marrë brenda në shtëpi. Por në këtë ndeshje nuk ka alternativë tjetër për kuqezinjtë, veç fitores.


Tensioni – Trajneri Xhani de Biazi ka qenë i tensionuar gjatë këtyre ditëve. I irrituar është shfaqur edhe në konferencën e djeshme për shtyp. Arsyet për të qenë i tillë janë të shumta, por më kryesorja ishte humbja e pamerituar me Islandën. Tekniku italian kërkon që të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë, për të marrë fitoren me Slloveninë, duke kujtuar se Shqipëria nuk duhet të pësojë më gola naivë, sepse në shtëpi gjithmonë arrin të shënojë: “Pas fitores me Qipron, njerëzit i rrëmbeu entuziazmi, më pas u zhgënjyen nga humbja. Ju siguroj që ndaj Qipros luajtëm më keq se me Islandën, por fituam 3-1, ky është futbolli. Edhe pas kësaj humbjeje, ne mund të fitojmë me çdo kundërshtar. Zhgënjimi i tifozëve është zhgënjimi ynë. Pas Islandës ndiheshim të vdekur në dhomat e zhveshjes, sepse nuk e meritonim atë rezultat”.


Thumba kritikëve – Tekniku polemizon për komentet negative të njerëzve që merren me futboll, por që sipas tij nuk e njohin realitetin në kombëtare. “Dëgjoj shumë njerëz që janë edhe njohës të futbollit, që flasin për gjëra të cilat as nuk i dinë. Në fund të fundit, duhet t’i bësh gjërat me ato që ke në dispozicion. Sot, kemi një skuadër relativisht të re, me perspektivë, dhe shumë prej tyre luajnë për herë të parë në Kombëtare. Këta lojtarë duhen përkrahur, sepse po bëjnë gjithçka, po japin maksimumin. Por nëse dikush mendon se ne kemi Mesin, Ksavin, Iniestën apo Kristiano Ronaldon, gabohet rëndë. Ne kemi lojtarë të mirë, që së bashku mund të ndërtojnë një skuadër të madhe. Por nëse do të bëjmë dallime, ja ky nuk bën, ja ky tjetri… atëherë nuk do të shkojmë gjëkundi”.


Sllovenia – Sllovenët cilësohen si favoritë në këtë ndeshje, ndërsa në anën tjetër, ky takim do të jetë një provim për të gjithë Kombëtaren shqiptare. “Por tani duhet të mendojmë për Slloveninë, që është një skuadër më e vështirë se Qipro dhe Islanda. Duhet të punojmë për të shmangur çdo surprizë të keqe dhe të marrim maksimumin nga vetja, ky besoj është aspekti ku duhet të fokusohemi. Është e padobishme që të lëmë fantazinë të na pushtojë. Ne në shtëpi shënojmë gol, por duhet të mos pësojmë për ta fituar ndeshjen. Ajo që duhet të bëjmë është të shënojmë një gol më shumë se kundërshtarët dhe të jemi më të zgjuar në mbrojtje. Në 3 ndeshje kemi pësuar 5 gola, që mund t’i kishim shmangur dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të zgjuar në mbrojtje.


Terreni i rënduar – Një faktor që edhe këtë herë mund të ndikojë negativisht janë reshjet e shiut, pasi gjatë pasdites së të martës dhe në mbrëmje, priten reshje të dendura, që do t’ia vështirësojnë detyrën kuqezinjve. “Terreni në ndeshjen e së premtes favorizoi Islandën, pasi ishim ne që duhet të rikuperonim golin e pësuar. Nëse rezultati do të ishte 0-0, atëherë do të ishte ndryshe. Por u dënuam edhe nga gabimet e arbitrit. Ishte një penallti ndaj Çanit, pastaj edhe në rastin e golit të dytë të tyre, faulli nuk ishte. E kam parë tri herë ndeshjen. Nuk kishte asnjë kontakt me Mavraj, por arbitri bëri një budallallëk që e vuajmë ne”, tha De Biazi. Për ndeshjen e sotme, trajneri dëshiron të largojë çdo alibi të mundshme në lidhje me terrenin e keq që mund të krijohet nga shiu që pritet të mos mungojë në orarin e sfidës: “Ndaj Sllovenisë, terreni do të jetë i njëjtë për të dyja skuadrat, ndaj nuk mund të jetë alibi për mosarritjen e rezultateve”.


Thirrje tifozëve – De Biazi beson se në shkallët e “Qemal Stafës” nuk do të mungojë mbështetja e tifozëve kuqezi në mbështetje të skuadrës drejt fitores. “Shpresojmë te mbështetja e tifozëve, edhe sepse skuadra po jep maksimumin”, deklaroi trajneri i Kombëtares shqiptare.


 


Formacioni


Meha e Bogdani mbeten në dyshim, Dallku e Ujkani pritet të ulen në stol


Trajneri, revolucion në 11-she, priten të paktën 4-5 ndryshime


Kundër Sllovenisë, Xhani de Biazi pritet të zbresë me ndryshime në fushën e lojës, i kushtëzuar edhe me disa probleme muskulare të futbollistëve. Meha dhe Bogdani janë në dyshim, ndërsa forma e tyre do të vlerësohet përpara ndeshjes. Ndërsa trajneri konfirmon ndryshimet e shumta në formacionin titullar. “Nuk e di për momentin se çfarë ndryshimesh do të bëj, por me siguri që do të ketë të tilla për Slloveninë. Deri në ndeshje do të zhvillojmë edhe një seancë stërvitore, ku do të shoh me kujdes gjendjen e dy futbollistëve, Bogdanit dhe Mehës. Ata kanë probleme dëmtimi, por si trajner më duhet të marr në konsideratë edhe ndeshjen e zhvilluar tri ditë më parë, konsumimin fizik të atyre që luajtën dhe të të tjerëve që mund të na ndihmojnë në këtë ballafaqim të radhës. Jam i fokusuar të identifikoj dhe të aktivizoj ata lojtarë, që më japin më shumë siguri në fushë”, u shpreh ai. Ndërkohë mendohet se trajneri do të bëjë të paktën 4-5 ndryshime, pasi ndaj sllovenëve ka ndërmend të hedhë në fushë një skuadër sulmuese të rreshtuar 4-4-2. Meha i dëmtuar mund ta nisë ndeshjen nga stoli, dhe do të aktivizohet nëse skuadra do të vuajë në organizimin e lojës kundër sllovenëve. Ndryshimet mes titullarëve nisin nga porta. Pas golave të pësuar me Islandën, Samir Ujkani pritet të ulet në stol, për t’i lënë vendin mes shtyllave Etrit Berishës. Forma jo e mirë e Dallkut ka lëkundur teknikun, i cili ka ndërmend të aktivizojë në vend të tij Andi Lilën, ndërsa ana e majtë e mbrojtjes do t’i besohet Ansi Agollit. Në mesfushë Vila mendohet se do të zëvendësojë Mehën e dëmtuar dhe Roshi do të pozicionohet në krahun tjetër të dyshes së qendrës Bulku-Kukeli. Ndërkohë që nuk pritet të ketë surpriza në sulm, ku do të luajnë Sadiku-Cani.