Nga burime zyrtare mësohet se tekniku kuqezi do të rikthejë disa emra për Qipron
Dy javë më parë, kuqezinjtë tanë dolën në tapetin e blertë për t’u ndeshur me Moldavinë në një test miqësor. Gjithçka ishte me motivin për të fituar disa futbollistë të rinj për ndeshjet paraeliminatore të Botërorit Brazil 2014. Ndeshja e parë do të jetë ajo kundër Qipros më 7 shtator dhe ndeshja e dytë do të jetë transferta kundër Zvicrës më 11 shtator. Në të dyja sfidat tekniku italian, Xhani De Biazi do të provojë potencialet e futbollit tonë për të marrë pikët maksimale. Ai në miqësoren e fundit largoi disa futbollistë nga lista, por tashmë është i detyruar të rithërrasë qendërmbrojtësin 23-vjeçar, Franc Veliu. Duke parë se në këtë pjesë të formacionit ekipi “çalon” dhe Erion Dushku nuk është në gjendjen që pritej, ai ka vendosur të rithërrasë vlonjatin. Veç tij në këtë takim do të jetë në fushë edhe Mërgim Mavraj dhe Edgar Çani, të cilët kanë gjetur ekip. Ndërsa një tjetër i thirrur rishtaz nga De Biazi, është Migjen Basha që luan në kampionatin italian. Ndërsa ende nuk dihet se kë do të mbajë jashtë 22-shes për këto dy takime. Dihet që Curri dhe Vangjeli janë të dëmtuar dhe do të mungojnë në dy takimet e para, ndërsa rikthimi i tyre pritet në vitin 2013. Megjithatë, ditën e hënë, FSHF-ja do të bëjë të ditur listën zyrtare për dy takimet e para.