Spanjë-Portugali


Gjithçka e lehtë për Spanjën në Donjetsk: “Furitë e Kuqe”, dukshëm pa sforco të mëdha, kanë mundur 2-0 një Francë që u shfaq pa agresivitet dhe pa karakter. Megjithatë, trajneri Visente Del Boske, nuk është krejtësisht i qetë në prag të impenjimit në gjysmëfinale kundër Portugalisë. “Kemi ardhur shumë të lodhur, sepse këtu vuajmë shumë nga i nxehti, ka zbuluar ai në konferencën e shtypit. Tani do të kërkojmë të rikuperojmë energji në prag të takimit kundër Portugalisë, duhet të vazhdojmë të fitojmë. Në krahasim me kundërshtarët do të kemi dy ditë pushim më pak, dhe kjo do të jetë për në një handikap i vogël”, ka thënë trajneri i kampionëve në fuqi të botës dhe të Europës. Gjysmëfinale e gjitha me aromë iberike, ajo që do të dalë në skenë të mërkurën e ardhshme në mes Spanjës dhe Portugalisë. Rreziku numër një është natyrisht ai, Kristiano Ronaldo. Zëvendësi Del Boskes, Toni Grande, ka siguruar se nuk do të ketë ndryshime taktike për të provuar të ndalin asin luzitan.


“Frenimi i Ronaldos, sigurisht, është një shqetësim për ne. Ai është shumë i fortë fizikisht dhe është një goleador i madh, por ne do të ruajmë stilin tonë të lojës”, ishin fjalët e Grande në konferencën për shtyp. Megjithatë, kundër Francës, Spanja ka bërë një ndeshjen që duhet të luante. “E vërteta është se kemi luajtur mirë, u shpreh Del Boske. Kemi kontrolluar ndeshjen dhe Kasijasit i është dashur të ndërhynë në pak raste, gjë që do të thotë se skuadra ka luajtur shumë mirë në fazën difensive. Nëse mbrojtja është solide, është më e thjeshtë të marrësh një fitore, sepse kështu skuadra mund të krijojë disa raste për shënim”. Për sa u përket lojtarëve të veçantë, Del Boske ka promovuar Fabregas si “sulmues fals” dhe ka nënvizuar paraqitjen e mesfushorëve të tij. “besoj te Sesk, deklaroi ai, kemi tre sulmues të mirë, që më japin vazhdimësi në lojë, nuk duhet të jap shpjegime të tjera. Ksabi Alonso është një nga lojtarët, që me mua ka shënuar më shumë. Me Buskets formuan një çift mesfushorësh, që më ndihmon shumë. Ksavi? Është një mesfushor që mund të përkufizohet i kompletuar”.