
Çdo ditë jepet lajmi për ndonjë lojtar të dëmtuar që do të humbë Botërorin. I fundit që do të mungojë në Kupën e Botës, që do të nisë pas një muaji në Katar, është sulmuesi portugez i Liverpoolit, Diogo Jota, i cili pësoi një tërheqje muskulore ndaj Cityt, që do ta mbajë disa muaj larg fushave. Botërori i parë, që do të luhet në mes të sezonit, do të privohet nga një numër i madh yjesh për shkak të dëmtimeve.Fatin e Jotës pritet ta ketë edhe shoku i tij i kombëtares, Pedro Neto, por edhe mbrojtësi francez, Boubacar Kamara. Ndërsa yje të tjerë, si dyshja e Chelseas, Ris James dhe N’Golo Kante, por edhe Paul Pogba, mbeten në dyshim të madh për t’u rikuperuar deri atëherë, pavarësisht se dje ka nisur të vrapojë me Juventusin.
Ka aq shumë lojtarë në infermieri, sa mund të krijosh një formacion të tërë me të dëmtuarit, të cilët vështirë se do t’i shikojmë në Katar.
Në portë do të ishte portieri i Argjentinës, Huan Muso. Një dëmtim në fytyrë i gardianit të Atalantës solli operimin e tij dhe ai mund të jetë një mungesë e sigurtë në Botëror. Dyshime të vogla gjithsesi ka edhe për portierin madrilen, Thibaut Courtois , i cili i ka humbur të gjitha ndeshjet me Realin që prej pushimit të kombëtareve.
Në mbrojtje do të ishte Camara, i cili këputi ligamentet vetëm pas 8 ndeshjesh karrierë me Aston Villan. Atij mund t’i bashkohet edhe ylli i Barcelonës dhe Uruguajit, Ronald Araujo, i cili pësoi një tërheqje në kofshë në shtator dhe pritet të mungojë.
Mbrojtësi i majtë Lucas Digne është gjithashtu një nga yjet e Deshampit që pritet të mungojë, ndërsa fati i mbrojtësit të djathtë të Anglisë, Ris James, është në fije të perit pas dëmtimit në gju në ndeshjen e Chelseas kundër Milanit në Champions.
Kante nuk ka luajtur futboll që prej gushtit dhe i është ripërsëritur dëmtimi pak ditë më parë. Ai i është nënshtruar një operacioni. Ndërsa Pogba ka një dëmtim në gju që mund të mos ia dale, edhe pse i është bashkuar skuadrës së tij.
Formacionit i bashkohet edhe ish-ylli i Liverpoolit, Georginio Wijnaldum. Holandezi luajti vetëm një ndeshje i huazuar te Roma përpara se të pësonte frakturë në tibian e këmbës së djathtë. Dyshime mbeten edhe për Calvin-Filipsin e Cytit pas dëmtimit në shpatull. Në sulm meksikani Raul Jimenez rrezikon të mungojë në Botëror, pas një problemi të yllit të Wolverhampton në ijë.
Dybala do ta ketë gjithashtu të vështirë të rikthehet të luajë përpara vitit 2023, ndërsa shanset duken më të mira për Di Marian. Edhe Gjermanisë mund t’i mungojë një yll gjithnjë i pafat si Marko Reus pas dëmtimit në kavilje të mesfushorit të Dortmundit.