Ish-ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka, ka rrëfyer disa detaje në lidhje me atë që ka ndodhur në Beograd në 2014, në ndeshjen e cila u kthye në një betejë dhune.

Ai ka treguar se një natë përpara ngjarjes presidenti i federatës serbe i ka ftuar për darkë, teksa gjatë ndeshjes ka qenë i shoqëruar me presidentin e asaj kohë të Serbisë.

“Vritini shqiptarët”, kjo ka qenë fraza, e cila sipas tij është thirrur në stadium vazhdimisht nga tifozët serbë.

“Gjithçka filloi krejt normalisht. Një ditë, mbrëmje më parë, erdhi në Beograd kryetari i federatës shqiptare të futbollit dhe delegacionit që e shoqëronte, për të marrë pjesë në këtë eveniment sportiv. Bashkë me të ishim të ftuar në një darkë protokollare nga kreu i federatës serbe të futbollit.

Në momentin që erdhi avioni nga Tirana, atje u krijua një përshtjellim, pasi të gjithë pasagjerët pa dallim u ndaluan të hynin në Serbi, kjo ishte shkelje flagrante se nuk kishte asnjë arsye. U bllokuan deputetë e punonjës të shtypit shqiptar. Pas një përpjekje të madhe dy orëshe, u arrit që ata të lejoheshin të dilnin nga aeroporti.

Ne ishim në shoqërinë e presidentit serb, në tribunën qëndrore, e cila filloi me shfaqe aspak sportive. Kujtoj që gjithë stadiumi në kor nisi të thoshte “vritini shqiptarët””, ka deklaruar ai. /Top Channel/