Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve të dhunshme mes tifozëve të organizuar në Salvador, në shtetin Bahia të Brazilit.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, në ditën e derbit mes Bahias dhe Vitorias, ku përplasjet mes grupeve të tifozëve shkaktuan kaos në rrugët e qytetit.
Viktima është identifikuar si 28-vjeçari José Alexandre Souza Borges, tifoz i grupimit të organizuar “Bamor”, që mbështet klubin Bahia. Sipas policisë, ai u sulmua me thikë nga anëtarë të grupit rival “Torcida Uniformizada Os Imbatíveis” të Vitorias.
Pas plagosjes, 28-vjeçari u transportua në spital dhe u shtrua në kujdes intensiv, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Pas sulmit, të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes. Gjatë kontrolleve të mëvonshme, policia identifikoi një grup prej rreth 60 personash në zonën përreth dhe arrestoi gjashtë burra.
Ata akuzohen për vrasje të rëndë, tentativë vrasjeje dhe posedim të pajisjeve shpërthyese.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve të arrestuarve iu gjetën thika, fishekzjarrë dhe mjete shpërthyese të improvizuara. Disa prej tyre kishin gjithashtu gjurmë gjaku në veshje.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në përleshje.
Mediat lokale publikuan pamje nga momentet e përplasjes, ku shihen grupe njerëzish duke ikur në panik dhe ndjekje mes tifozëve përgjatë rrugëve të Salvadorit.
Po gjatë së njëjtës ditë, në disa zona të qytetit u raportuan edhe akte vandalizmi ndaj autobusëve.
Në një prej rasteve, një shofer mbeti i plagosur pasi një fishekzjarr u hodh përmes xhamit të përparmë të autobusit.
Autoritetet braziliane po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e dhunës dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.
Top Channel
