Seria A
Vazhdon kalvari i humbjeve të Interit, Roma fiton dhe shkon në zonën e Europa League
Golat e Vidal dhe Markizos në fund i japin fitoren Juves. Por kur ishin 0-0 i mohohet një penallti Jonathas. Kontes i mjafton një barazim ndaj Palermos për të festuar
Derbi i Torinos thotë sërish Juventus. Vidal shënon në minutën e 86 dhe Juvja vuan, megjithatë ecën drejt titullit. E përforcon Markizio, që shënon në kohën shtesë. Kryesueses i mungon tashmë vetëm një pikë për t’u fituar të dielën e ardhshme në “Juventus Stadium” kundër Palermos. Ky derb ka qenë më i ekuilibruar se ai i pari, më impenjativ sesa i bukur. Por në fund ishte shpërthyes. Edhe një herë golat e mesfushorëve ishin vlera e shtuar e Juventusit. Ndërsa më i miri në fushë për bardhezinjtë ishte Pogba. Kryesuesja e nisi mirë. Pasim i bukur i Pogbas në thellësi, Vuçiniç bën lëvizjen e duhur, por dështon vetëm përballë Gillet. Një gafë. Rasti i dytë për gol është sërish i Juves: në rrëmujë Vuçiniç gjuan përsëri keq, kur Gillet ishte përtokë pas një gabimi, pastaj Pogba me portën bosh gjuan, por devijon në këndore Glik në linjën e portës. Markisio shënon, por është në pozicion jashtë loje. Ritmi është mesatar, loja është e kushtëzuar nga fusha e rrëshqitshme. Torino është e ndrojtur, dhe shumë e ngurtë në kontrollin e topit. Por më pas ndryshon marsh dhe impenjohet me lojën e saj nga krahët deri në thellësi. Çerki dhuron disa reagime cilësore, por më pas në momentin më të bukur vjen një e majtë e Santanas, Bufon është i kujdesshëm dhe e çon topin mbi traversë. Pjesa e parë mbyllet 0-0. Rinis menjëherë me Vuçiniç, që shfaqet rrezikshëm: e djathta e tij devijohet nga Gillet dhe del jashtë. Në pjesën e dytë intensiteti bie. Por 10 minuta nga fundi sfida shpërthen. Çerki jep një asist në qendër të zonës për Biankin, që arrin me vonesë, duke kërkuar një mbajtje për bluze dhe një penallti Bonuçit ndaj Jonathas. Reagimi i Juves është vrasës. Shënon Vidal me të djathtën nga jashtë zonës, më pas Markizio dyfishon. Kjo ndeshje mbyllet me Glik që merr karton të kuq dhe me tifozët bardhezi të vetmit të mbetur në “Olimpiko”. Po festonin. Titulli është aty, vetëm një pikë larg. Në ndeshjet e tjera, Roma tregon të gjithë potencialin e saj përballë Sienës, të cilën e mund me rezultatin 4-0. Verdhekuqtë rimarrin vendin e pestë me 55 pikë, që i çon në zonën europiane. Interi zhgënjen sërish dhe mundet 1-0 nga Palermo. Zikaltrit mbeten në kuotën e 53 pikëve në vendin e 7 jashtë zonës europiane për momentin. Fiorentina triumfon 3-0 ndaj Sampdorias dhe për momentin kalon në vendin e tretë me 61 pikë. Parma dhe Lazio e mbyllin 0-0, ndërsa Xhenoa arrin një fitore të rëndësishme ndaj Kievos.