Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën futbollistit Diego Jota dhe vëllait të tij, Andre, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ngjarja ndodhi në provincën spanjolle të Zamorës, kur dy vëllezërit Jota po udhëtonin me një makinë “Lamborgini” drejt Santander, ku do të merrnin një traget për të shkuar në Liverpul. 28-vjeçari do duhet të ktheje tek skuadra për stërvitjen parasezonale, e cila do të fillonte të hënën. Ai nuk mund të udhëtonte me avion, pasi së fundmi i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, kështu që mjekët e kishin këshilluar të mos fluturonte.
Sipas autoriteteve vendase, aksidenti ndodhi në kilometrin 65 të autostradës A-52, në zonën e Sanabria-s. Automjeti në të cilin udhëtonte Jota, së bashku me vëllain e tij André, gjithashtu futbollist profesionist 26-vjeçar, doli nga rruga dhe përfundoi në flakë.
Dëshmitarët që telefonuan numrin e urgjencës 112 raportuan se makina u përfshi plotësisht nga zjarri, pasi u përplas me bordurën anësore. Dyshohet se Jota kishte parakaluar një makinë dhe po ecte me shpejtësi, për këtë arsye ka humbur kontrollin e mjetit.
Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton për një shumë prej 44.7 milionë eurosh. Që nga ajo kohë, ai regjistroi 182 paraqitje, duke shënuar 65 gola dhe dhënë 26 asiste.
Me Liverpoolin, ai fitoi Premier League-n në sezonin 2024-25, si dhe FA Cup dhe League Cup në sezonin 2021-22. Më herët, ai kishte luajtur edhe për Atlético Madrid, Porto dhe Wolves, duke u kthyer në një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë.
Familja, shokët e skuadrës dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi për këtë humbje të parakohshme dhe të dhimbshme. Klubet ku ka luajtur pritet të organizojnë homazhe në nder të tij në ditët në vijim.


